Politike

Aleatët “braktisin” PD; u dorëzojnë çelësat e bashkive socialistëve pa zhurmë

Konstituimi i këshillave të rinj bashkiakë dhe marrja e detyrës prej kryebashkiakëve të rinj, që të gjithë socialistë, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit ka nxjerrë në pah mungesën e një qëndrimi të njëzëshëm të partive të koalicionit opozitar, të paktën deri më tani.

Nëse Partia Demokratike ka angazhuar bazën e saj në protesta për të kundërshtuar marrjen e detyrës së kryebashkiakëve socialistë të dalë nga një palë zgjedhje që ajo nuk i njeh, aleatët e saj nuk kanë bërë të njëjtën gjë.

Kryebashkiakët e dalë nga Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet vendore të 2015 kanë liruar pa zhurmë zyrat e tyre. I tillë ishte rasti në Cërrik, ku Altin Toska i la vendin Andis Sallës.

Ironikisht, në ditën që LSI i lironte zyrën pa rezistencë PS-së, në Cërrik ndaloi Lulzim Basha. Në deklaratën para qytetarëve, ai e cilësoi farsë konstituimin e këshillit të ri bashkiak dhe po ashtu edhe kryetarin e ri të kësaj bashkie. Por, për Bashën as ai i LSI-së nuk është kryetari legjitim. “S’ka kryetar bashkie! Kryetari i bashkisë do të jetë i PD i dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha.

Po ashtu në Gjirokastër, ku Zamira Rami u zëvendësua nga Flamur Golemi, për të vazhduar me Beratin, ku Ervin Demo zëvendëson Petrit Sinajn e LSI-së. Edhe në Kuçovë Selfo Kapllani u zëvendësua nga Kreshnik Hajdari.

Edhe në Rrogozhinë, Beqir Nuredini i PDIU-së nuk organizoi asnjë rezistencë dhe i liroi zyrën kryebashkiakut të ri socialist të dalë nga 30 qershori. Nuredini tha se nuk i njihte zgjedhjet dhe as rezultatin e tyre, por kishte zgjedhur të lironte zyrën për të shmangur përplasjet mes qytetarëve dhe policisë.

Në të gjitha rastet konstituimi i këshillave në këto bashki është kundërshtuar pak, ose aspak dhe pa mbështetës që bllokojnë hyrjet e institucioneve, ndryshe nga skenat që janë parë në bashkitë e drejtuara nga PD, si në rastin e Bashkisë së Devollit dhe në atë të Kavajës.

Këshilli bashkiak i Devollit u konstituua në Korçë, ndërsa përzgjedhja e kësaj bashkie të kontrolluar nga PD u interpretua edhe si një test i mazhorancës për t’i matur pulsin reagimit të opozitës, që nuk i njeh këto zgjedhje. Reagimi ishte i fortë dhe loja “tërhiq e mos e këput” për kreun e kësaj bashkie u mbyll me ndërhyrjen Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, që qëndruan në korridoret e godinës në ditën e parë të punës së Eduard Duros. Vetë ky i fundit kishte hyrë në zyrën, që më parë mbahej nga demokrati Bledion Nallbati, që në orën 6 të mëngjesit.

Në rastin e Kavajës, si këshilli i ri, ashtu edhe kryebashkiaku ditën e parë të punës e kaluan në lokalet pranë bashkisë në pritje të lirimit të zyrës nga Isa Sakja. Ndryshe nga Duro i Devollit, socialisti Redjan Krali hyri në godinë vetëm pas përfundimit të orarit zyrtar të punës dhe largimit prej andej të Isa Sakjas. Në të dyja rastet është dashur ndërhyrja e policisë për t’u vendosur përballë protestuesve të Partisë Demokratike dhe Devolli e Kavaja janë vetëm fillimi.

I vetmi kryebashkiak i dalë nga PD i larguar paqësisht deri më tani është Niko Shupuli në Përmet. Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Shupuli bën një bilanc të punës së tij në krye të kësaj bashkie për 4 vite dhe thotë se tashmë i ka përfunduar kontrata katërvjeçare e lidhur me qytetarët në 2015.

https://www.facebook.com/niko.shupuli.9/posts/2724974554203302

Por, për t’u konstituuar mbeten këshillat bashkiakë në Kamëz, Shkodër, Tropojë, Kukës, Burrel dhe Lezhë, që të gjitha bashki që aktualisht drejtohen nga PD dhe të konsideruara si bastione historike të opozitës.

Kur të vijë koha për konstituimin në këto bashki, rezistenca e PD pritet që të jetë edhe më e fortë se ajo në Devoll e Kavajë, ndryshe nga rruga e zgjedhur nga aleatët e demokratëve në opozitë, që liruan zyrat pa shumë zhurmë.

Dilema është nëse rruga e zgjedhur nga LSI është një vendim i drejtuesve të partisë, apo një rastësi e pamundësi për të mbledhur mbështetës në mbrojtje të bashkive që u dorëzoi çelësat?


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë