Futbolli shqiptar përjeton situata nga më të ndryshmet dhe më paradoksalet. I tillë është rasti i Tiranës dhe Vllaznisë, dy klube që rezultojnë me borxhe të mëdha dhe që FSHF-ja u kishte vënë ultimatum për zgjidhjen e këtij problemi deri më 31 korrik. Megjithatë, si Tirana ashtu edhe Vllaznia, nuk kanë dashur t’ia dinë për këtë ultimatum dhe kanë vazhduar punën në merkaton e verës, sikur asgjë të mos ketë ndodhur, duke shpenzuar shifra të larta.
Behar Ramadani është përforcimi i radhës te Vllaznia. Ai është prezantuar sot me fanellën e ekipit të qytetit të lindjes, duke u bërë afrimi i 5-të i shkodranëve në merkaton e verës. Mesfushori është aktivizuar sezonet e fundit me Luftëtarin, madje ka qenë edhe kapiten i tij, por tashmë do të ketë mundësinë të luajë për Vllazninë, pasi ka firmosur një kontratë njëvjeçare. “Rikthimet gjithmonë janë të bukura, aq më tepër kur bëhet fjalë për ngjyrat, me të cilat je rritur. Le t’ia lëmë gjithçka kohës dhe t’i futemi punës për të nderuar fanellën e Vllaznisë dhe qytetin. Nuk kam luajtur shumë në Shkodër, ndërsa Luftëtari është shtëpia ime e dytë. Te Vllaznia shoh që ka ndryshime, trajner i ri dhe lojtarë të rinj. Tifozët kërkojnë një skuadër sa më të mirë, që të pretendojë titullin kampion, ndaj duhet të bëjmë maksimumin”, – tha Ramadani në prezantim.

Ditët e fundit klubi shkodran ka qenë mjaft aktiv në merkato. Pas Markut dhe Shehit, dy futbollistëve që hapën merkaton e Vllaznisë, ishte radha e maqedonasve, duke nisur me trajnerin Mirsad Jonuz dhe për të vazhduar me mbrojtësit Gligorov dhe Ristevski. Tani vjen edhe Ramadani, duke bërë që shkodranët të forcojnë mbrojtjen dhe mesfushën, ndërsa për sulmin pritet të fuqizohet në ditët e ardhshme. Por te Vllaznia, ndryshe nga Tirana, ka edhe një problem tjetër. Të gjitha afrimet janë bërë nën kujdesin e administratorit Suad Lici, pozicioni i të cilit është i diskutueshëm, pasi në strukturat drejtuese të Vllaznisë do të ketë ndryshime shumë shpejt. Rolin e presidentit të klubit do ta marrë kryebashkiaku i ri i Shkodrës, Valdrin Pjetri, që më parë ka lëshuar akuza se te Vllaznia po bëhen qokat e fundit. Përveç kësaj çështje, ajo që nuk përputhet me situatën aktuale të Vllaznisë ka të bëjë me shpenzimet e mëdha në merkato, kur klubi është i zhytur në borxhe.
Janë bërë tre maqedonasit tashmë te Vllaznia, trajneri dhe dy futbollistë, por ata edhe mund të shtohen në radhët e shkodranëve. Një situatë që nuk është pritur mirë nga një pjesë futbollistësh, të cilët trajneri Jonuz ka kërkuar që t’i testojë, edhe pse ata kanë vite që janë pjesë e kësaj skuadre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje