Ditët e fundit është përfolur shumë për kalimin e mundshëm të sulmuesit italian, Mario Baloteli, te Flamengo në Brazil. Por kjo pistë ka dështuar dhe gjasat janë që futbollisti problematik, në kërkim të një skuadre të re, të kthehet në Serinë A për të veshur fanellën e Breshias.
Shtypi spanjoll ka zbuluar së fundi pse klubi brazilian i Flamengos u tërhoq nga blerja e Balotelit. Një klauzolë e kërkuar në kontratë nga sulmuesi është konsideruar e papranueshme nga drejtuesit e klubit nga Rio De Zhaneiro, të cilët në fillim ishin shumë entuziastë për afrimin e këtij futbollisti me përvojë. Mario Baloteli ka kërkuar nga Flamengo të sistemojë edhe vëllanë e tij Enok. Si? Te Boavista, një skuadër e Serisë D në Brazil, që kontrollohet pikërisht nga Flamengo. Dhe jo vetëm kaq, por Enok, sipas klauzolës së kërkuar nga Mario, duhej të luante të paktën 10 ndeshje me Boavistën. Kjo kërkesë është gjykuar si e papranueshme nga brazilianët, të cilët vendosën të tërhiqen.

Drejtuesit e Flamengos menduan të bënin një sforco financiare këtë verë për ish-lojtarin e Interit, Milanit, Mançester Sitit, Liverpulit, Nicës dhe së fundi Olimpik Marsejës. Sulmuesi italian ishte gati të firmoste një kontratë 2-vjeçare, me 4.5 milionë euro në sezon, një shifër e lartë për arkat e Flamengos, që gjithsesi po përpiqej të sakrifikonte në këtë drejtim, por nuk mund t’i vinte pas qejfit sulmuesit, duke pranuar kapriçot e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje