Futboll

Rekordi në Spanjë, 1.2 miliardë blerje për të sfiduar Barcelonën

La Liga numër 89 nis sot në mbrëmje në Bilbao, me ndeshjen Atletiko-Barcelona. Po t’i hedhësh një sy merkatos, kupton lehtë se është një kampionat për rekord, sepse deri tani klubet spanjolle kanë shpenzuar më shumë se 1.2 miliard euro për blerjet, duke kaluar 1 miliard të shpenzuara për sezonin 2018-19. Janë kthyer të shpenzojnë fuqishëm dy klubet e Madridit, Reali më shumë se 300 milionë dhe Atletiko më shumë se 240 milionë. Në mes është Barcelona, me 255 milionë. Katalanasit kanë bërë pak goditje, kanë marrë Grizmanin nga Atletiko për 120 milionë, De Jong nga Ajaksi për 75 milionë, Firpo nga Betisi dhe mbetet e hapur pista e Nejmarit.

Antuan Grizman prezantohet te Barcelona. Gazeta Si, 16 gusht 2019

Është e qartë: Barcelona është favorite absolute me atë që është parë deri tani, ndërsa Atletiko i trajnerit Simeone duket një ekip i ndërtuar mirë. Talenti Zhoao Feliks, 19 vjeç, është ingranuar mjaft mirë në sulm, duke bërë numrin 10, pas sulmuesve Diego Kosta dhe Morata, ose pas njërit prej tyre. “Cholo” ka menduar edhe për krahët, duke marrë Tripier nga Totenhem për 22 milionë dhe 21-vjeçarin brazilian Lodi nga Atletiko Paranaense për 20 milionë. Ka marrë edhe Markos Lorente nga Reali për 30 milionë, si dhe mbrojtësit Mario Hermoso nga Espanjoli për 25 milionë dhe Felipe për 20 milionë. Kështu, janë mbushur boshllëqet e lëna nga shitja e Lukas Hernandez te Bajerni dhe Rodri të Mançester Siti, si dhe nga largimet e Godin, Filipe Luis dhe Huanfran.

Zhoao Feliks, talenti portugez i blerë nga Atletiko Madrid. Gazeta Si, 16 gusht 2019

Reali i trajnerit Zidan duket ende në mjegullnajë. Ka ndryshuar shumë me blerjet e Eden Hazard për 100 milionë, Joviç për 60 milionë, Eder Militao për 50 milionë, Mendi për 48 milionë dhe Rodrigo për 45 milionë. Madrilenët kanë ende të hapura çështjet e Bejl, Hames, Mariano Diaz dhe ndoshta Iskos, të cilët e kanë mendjen për të ikur. Zidan donte Pol Pogba në ekip, por ai nuk ka ardhur. Reali ka pësuar 18 gola në 7 ndeshje miqësore, ku Zidan ka testuar mbrojtjen me 3 lojtarë qendre. Të sigurt për momentin duken vetëm “veteranët” Benzema dhe Kasemiro.

Eden Hazard, blerja më e bujshme e Real Madrid. Gazeta Si, 16 gusht 2019

VENDI 4 – Për vendin e 4-t, që prej vitit 2012 skuadrat kandidate nuk ndryshojnë: janë Valencia dhe Sevilja. Valencia rrezikon të humbë Rodrigon (drejt Atletikos për 60 milionë) dhe mund të marrë Andre Silvën nga Milani. Ka blerë goleadorin Maksi Gomez nga Selta, portierin Silesen, Jaume Kostan nga Vilarreali dhe Mangala nga Mançester Siti. Drejtori sportiv i Seviljes, Monki, ka shpenzuar 144 milionë për të blerë Roni Lopes nga Monako, ku ka shitur sulmuesin Ben Jeder për 40 milionë. Sevilja ka blerë edhe Okampos nga Olimpik Marsejë, Diego Karlos nga Nantë, Kounde nga Bordo, Dabur nga Salcburgu dhe sulmuesin Luk de Jong nga PSV-ja. Shumë punë për trajnerin e ri, Lopetegui.

Nabil Fekir, blerja e madhe e Betisit. Gazeta Si, 16 gusht 2019

SKUADRAT “OUTSIDER” – Në këtë grup bën pjesë Betisi, edhe pse ka shitur Lo Selson te Totenhemi. Ka marrë Borja Iglesias nga Espanjoli për 28 milionë, bomberin që shënoi 17 gola në sezonin e parë në La Liga. Ka blerë edhe të shumëkërkuarin Fekir nga Lioni, dhe Juanmi nga Real Sociedad. Në mesfushë, Uilliam Karvalho, Kanales dhe Guardado kanë jo pak cilësi. Surpriza Getafe, që zuri vend të 5-të sezonin që shkoi, ka marrë vetëm Enrik Galego nga Hueska dhe mbrojtësin e së ardhmes Kukurela në huazim nga Barcelona. Espanjoli ka humbur dy kolona të rëndësishme si Borja Iglesias dhe Hermoso, por ka blerë argjentinasin Vargas, Iturraspe nga Atletik Bilbao dhe Kalero nga Valadolid. Megjithatë, duket se është dobësuar. Surpriza mund të jetë Real Sociedad i të rinjve Isak, Odegard, Januzaj dhe Ojarzabal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë