Kukësi dhe Partizani, dy nga pretendentët kryesorë për titullin kampion, luajnë sot në transfertat e Vlorës dhe Gjirokastrës. Janë gati të shfrytëzojnë hapin e gabuar të Tiranës, sidomos Kukësi, që nëse fiton ndaj Flamurtarit, ka mundësinë të shkëputet i vetëm në krye. Kampionët dhe nënkampionët e Shqipërisë ndeshen me dy ekipe që kaluan një krizë të thellë gjatë verës dhe me shumë vështirësi u organizuan për sezonin e ri.
Flamurtari e ndërtoi ekipin në orët e fundit, madje edhe pas ndeshjes së parë të kampionatit ka bërë shumë zyrtarizime lojtarësh të rinj. Sot luan në fushën e tij, por përballë Kukësit do ta ketë shumë të vështirë. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro është në formë të mirë dhe pas asaj që tregoi javën e parë ndaj Partizanit, ku fitoi 1-0, niset favorite absolute në ndeshjen e sotme në Vlorë. Ka futbollistë me kualitet dhe qëndron shumë më lart se kundërshtari.

Edhe Luftëtari është pak a shumë në kushtet e Flamurtarit, me trajner të ndërruar në momentet e fundit para nisjes së garës dhe më një organikë “të panjohur” lojtarësh. Partizani kampion në fuqi vjen pas humbjes në javën e parë dhe fitorja është detyrim për trajnerin Franko Lerda dhe ekipin. Edhe barazimi në Gjirokastër nuk do të tolerohej nga drejtuesit e klubit të kuq. Partizani nuk kishte Jasir Asanin në ndeshjen e parë me Kukësin, por edhe për sot ai është në dyshim. Pritet një fitore e lehtë e të kuqve në këtë transfertë.
Dy ndeshjet e tjera të javës së 2-të të Superiores janë Laçi-Skënderbeu dhe Bylis-Vllaznia. Kurbinasit e drejtuar nga trajneri Sulejman Starova, pas humbjes në Shkodër, nuk mund të gabojnë përballë korçarëve që fituan me shumë fat pak ditë më parë ndaj Flamurtarit. Skënderbeu tani ka një ekip “normal” dhe në Laç e ka pasur gjithmonë të vështirë. Laçi ka avantazhin e fushës, ndërkohë që Bylis-Vllaznia është një ndeshje më e hapur. Ballshiotët synojnë fitoren e parë pa kthimit në elitë, kurse Vllaznia kërkon ta pasojë me një tjetër rezultat pozitiv fitoren ndaj Laçit në “Loro Boriçi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje