Politike

Meta me negociatoren gjermane: Zgjidhja e krizës? Shembull nga Kosova

Takimi me Ilir Metën dhe deklarata e shpërndarë më pas nga Presidenca hoqi çdo dyshim se në Tiranë nënkryetarja e grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Katja Leikert nuk kishte ardhur për të negociuar krizën politike.

Të martën ajo u takua me Lulzim Bashën dhe Edi Ramën. Në përfundim të takimit, Basha foli para mediave, ku mirëpriti ndërmjetësimin e Gjermanisë për zgjidhjen e krizës, ndërsa Kryeministri Edi Rama njoftoi takimin vetëm me një foto, pa asnjë deklaratë, apo njoftim.

Presidenca thotë se kreu i Shtetit e falenderoi për angazhimin e posaçëm të Bundestagut dhe veçanërisht të grupit parlamentar CDU/CSU për parandalimin e thellimit të krizës politike, ku ndodhet vendi dhe theksoi se nëse do të ishin dëgjuar në kohë sugjerimet dashamirëse të drejtuesve të lartë të CDU, gjendja sot do të ishte krejt e ndryshme.

Si propozim për zgjidhjen e krizës, Meta i përsëriti edhe zyrtares gjermane bindjen e tij se zgjidhja vjen vetëm nga zgjedhjet. Për ta përforcuar këtë bindje, Presidenti thotë se mjafton që të shihet jo më larg se në Kosovë.

“Nëse politikanët vendas e kanë të pamundur të mësojnë nga vendet me përvojë të konsoliduar demokratike se si zgjidhen krizat, kanë rastin të mesojnë nga një shtet i ri si Kosova se si u jepet mundësia qytetarëve të thonë fjalën e tyre përmes zgjedhjeve të parakohshme për të ardhmen e institucioneve qeverisëse”, citohet Presidenti Meta.

Kosova do të zhvillojë zgjedhje të parakohëshme në muajin tetor pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, që u thirr nga Gjykata Speciale për akuzat e hershme për krime lufte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë