Politike

S’ka koalicion! Vetëvendosje dhe LDK përplasin brirët për Kryeministrin

Afati për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet e parakohëshme të 6 tetorit në Kosovë u mbyll pa një marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që teorikisht do t’u garantonte dy forcave kryesore opozitare mazhorancën qeverisëse.

Mesnata mes të premtes dhe të shtunës ishte afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në përfundim të këtij afati, janë katër koalicione dhe tre parti që do të garojnë të vetme më 6 tetor.

Koalicionet janë dy shqiptare dhe dy të pakicave. Shqiptaret janë koalicionet Nisma e Fatmir Limajt dhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, ku si kandidat për kryeministër është Limaj dhe koalicioni mes Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt me Partinë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit, ku kandidat për kryeministër është Ramush Haradinaj. Dy koalicionet e tjera janë të pakicave serbe dhe boshnjake.

Ramush Haradinaj i AAK dhe Shpend Ahmeti i PSD. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Jashtë koalicioneve garojnë Partia Demokratike e Kosovës me Kadri Veselin si kandidat për Kryeministër, Lëvizja Vetëvendosje me Albin Kurtin dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me Vjosa Osmanin si e nominuar për kryeministre.

PDK u përjashtua nga të gjitha partitë e tjera si një mundësi për të ngritur koalicion, ndërkohë që rivaliteti për postin e Kryeministrit ishte pengesa që nuk u kapërcye në bisedimet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për një koalicion të përbashkët.

Albin Kurti i VV dhe Isa Mustafa, LDK. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Si LDK, ashtu edhe Vetëvendosje i nisën negociatat e ngritjes së një koalicionit të mundshëm me kushtet e panegociueshme se i takonte posti i Kryeministrit. Gjatë bisedimeve, edhe mes vetë kreut të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa kjo pengesë nuk u tejkalua, megjithëse Kurti bëri një hap pas.

Kreu i Vetëvendosjes kishte propozuar në tryezë që dy partitë të hynin në koalicion me kandidatura të përbashkëta dhe pas zgjedhjeve, kandidati për kryeministër i secilës palë që kishte siguruar më shumë vota nga procesi i votimit të merrte postin e Kryeministrit. Propozimi nuk u pranua.

https://www.facebook.com/albini2017/photos/p.489157971584092/489157971584092/?type=1&theater

Nëse VV dhe LDK do të kishte hyrë në koalicion të përbashkët më 6 tetor, teorikisht ato do të kishin vulosur fituesin dhe dilema që mbetej për t’u zbardhur ishte se në çfarë përmasash do të realizohej fitorja. Albin Kurti përllogariste se bashkimi i forcave i dy partive kryesore opozitare mund të siguronte një shumicë absolute deri në 70 për qind në Parlamentin e ri.

Me konfigurimin aktual dhe duke patur si referencë rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovës, parashikimet sugjerojnë se asnjëra parti nuk do të arrijë që të sigurojë shumicën qeverisëse, as e vetme, madje as edhe me ndihmën e partive serbe. Kjo do të thotë se pas 6 tetorit klasa politike në Kosovë pritet të përfshihet në bisedime të ethshme dhe të ngjashme me ato të para dy viteve.

Në zgjedhjet e qershorit 2017, koalicioni PDK, AAK dhe Nisma u rendit si subjekt i parë në zgjedhje me rreth 33 për qind të votave, ndërsa Vetëvendosje si forcë e dytë me rreth 27 për qind të votave. Por, as koalicioni dhe as VV nuk siguronte shumicën për të formuar qeverinë e re. Ramush Haradinaj, i nominuar si Kryeministër nga koalicioni i udhëhequr nga PDK u fut në bisedime me partitë e tjera dhe arriti që të marrë mbështetjen e Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit, e cila në votime kishte hyrë si pjesë e koalicionit me LDK.

Ramush Haradinaj dhe Behgjet Pacolli. Gazeta Si, 31 gusht 2019

Bisedimet zgjatën për më shumë se dy muaj dhe vetëm në shtator 2017 Ramush Haradinaj u betua si Kryeministër. Gjasat janë që të njëjtat sfida t’i dalin sërish përpara klasës politike kosovare pas 6 tetorit. Koalicioni që shihet më i mundshëm deri më tani duket ai mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, dallimi është se për ndryshim nga koalicioni parazgjedhor, koalicioni paszgjedhor do të kushtëzohet nga subjekti që do të dalë i pari në zgjedhje.

Sipas ligjit, kryetari i forcës që ka marrë mbështetjen më të madhe merr mandatimin për formimin e qeverisë së re nga Presidenti. Në mungesa të shumicës, kryetari nis bisedimet për aleancë. Pra, që të ndodhë një aleancë mes VV dhe LDK duhet që njëra mes tyre të dalë forcë e parë dhe më pas t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit forcës tjetër.

Ajo që perceptohet deri më tani në publik është që gara për t’u renditur si forcë e parë do të jetë pikërisht mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, teorikisht nuk përjashtohet që PDK të dalë forcë e Parë dhe as koalicioni i Ramush Haradinajt me Shpend Ahmetin. Në të dyja rastet, Vetëvendosja mund të mbetej sërish në opozitë, pasi mes saj dhe LDK-së si Kadri Veseli, ashtu edhe Ramush Haradinaj do të zgjidhnin LDK-në për koalicion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë