Juventusi humbi në minutat e fundit 2 pikë në ndeshjen ndaj Atletikos së Madridit në kryesfidën e grupit D të Ligës së Kampionëve, ndërkohë që Reali i Madridit u shpartallua nga PSG në Paris.
Pjesa e parë e luajtur në “Wanda Metropolitana” ishte një lojë më shumë se e mërzitshme, ku i vetmi rast i serioz për të gjetur golin ishte ai i Joao Felix në minutën e 13-të. Talenti portugez finalizon me një gjuajtje të thatë me majë një aksion personal, por bllokohet nga portieri Shezni, që devijon topin në goditje këndore.
Pjesa e dytë nisi me një tjetër melodi. Juventusi gjen golin shpejt me anë të Kuadrados në minutën e 48 dhe dhe më vonë me Matuidi në të 65-ën. Goli i dytë i dha sigurinë bardhezinjëve në fushë dhe debutimit të Mauricio Sarrit në stol, por Atletiko nuk u pajtua. Madrilenët shënuan me Savicc pesë minuta më vonë. Goli karikoi skuadrën vendase, që dominoi lojën në kërkim të rrjetës së dytë, që do ta gjente në minutat e fundit të kohës së rregullt. Në këtë takim, Ronaldo, i cilësuar si vrasësi i Atletikos, jo pa arsye, u pa vetëm në minutat shtesë, kur pas një aksioni personal topi i goditur prej tij “qethi” shtyllën e majtë të portierit Oblak. Portugezi i ka shënuar plot 25 herë në të shkuarën skuadrës së Simeones, përfshirë edhe 3 golat në takimin e fundit në Ligën e Kampionëve, por këtë mbrëmje ngeci.

Në Paris nuk pati ndeshje. Reali i Zinedine Zidane ishte në fushë një tjetër skuadër nga ajo me të cilën francezi ngriti tri Kupa Kampionësh rresht. Ish-i Di Maria ishte lojtari i ndeshjes, që shënoi dy herë në pjesën e parë, ndërkohë që në fund të takimit, Bernat dhe Meunier tallen me mbrojten e Realit dhe më pas shënojnë golin e tretë.
Në ndeshjet e tjera, debutimi i Atalantës në elitën e futbollit europian ishte për t’u harruar. Italianët u mposhtën 4-0 nga Dinamo e Zagrebit në Kroaci, falë edhe kontributit të shqiptarit Arijan Ademi. Surprizë ishte edhe humbja e në shtëpi e Leverkusenit përballë Lokomotivës së Moskës me rezultatin 1-2, ndërsa Manchester City fitoi 3-0 përballë Shaktjor Donetsk në Ukrainë. Dy ndeshjet e luajtura më herët përfunduan në barazim. Klub Bruzhe barazoi 0-0 me Gallatasarajin, ndërsa Olimpiakosi 2-2 me Totenhemin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje