Futboll

Mançesteri në pikiatë, tifozët “shkarkojnë“ Solskjaer

Koha të vështira për Mançester Junajtid. Vendi i 8-të në kampionat dhe “i dënuar” të luajë një sezon në Ligën e Europës, si dhe i frustruar ndjeshëm nga konkurrenca qytetare me kushërinjtë e Sitit. Humbja në fushën e Uest Hemit ka bërë që tifozët e Mançesterit të shpërthejnë për shkarkimin e trajnerit Ole Gunar Solskjaer dhe largimin nga detyra të administratorit Ed Vuduard, i ardhur pas ikjes së Aleks Ferguson në 2013, 6 vjet më parë. Ai është përgjegjës për dështimet në merkato dhe për rrënimin e “Djajve të kuq”.

Vetëm Rio Ferdinand e ka mbrojtur klubin. Për kontestimet e tifozëve, duke dalë nga stadiumi i Uest Hemit, ish-mbrojtësi tha: “Nuk mund të ndërrohet një trajner në javë. Pas çdo humbjeje është gjithmonë e njëjta histori. Duhet kohë”. Të tjerë zëra të rëndësishëm kanë shprehur mendimin e tyre për situatën aktuale të Mançester Junajtid. Hoze Mourinjo, nga studiot e “Sky”, ku po komentonte ndeshjen Çelsi-Liverpul, hodhi kunjin e radhës. “Shkarkimi im ndoshta ishte i drejtë në dhjetor të vitit të kaluar, por Mançesteri aktual është më i dobët se i imi”. Roi Kin, ish-mesfushori i erës Ferguson, u shpreh: “Është shumë e frikshme sa poshtë ka rënë ky ekip”.


Tifozët e Mançester Junajtid, të zhgënjyer nga ekipi. Gazeta Si, 24 shtator 2019

Në rrjetet sociale tifozët kanë kërkuar shkarkimin e Solskjaer, por në komentet e tyre është më i sulmuar Vuduard, të cilin janë të shumtë ata që e konsiderojnë si shkaktarin kryesor të shkatërrimit të Mançesterit. “Djajtë kthehen në fushë të mërkurën, në turin e tretë të Kupës së Ligës. Në “Old Trafford” presin Roshdejlin, ekipin e vendit të 17-të në League One. Të hënën është sfida me Arsenalin po në shtëpi, në kampionat. Dy ndeshje të rëndësishme për këtë skuadër që duhet të përballet edhe me problemin e dëmtimit të Rashford. Solskjaer debutoi te Junajtid më 22 dhjetor 2018 dhe në 19 ndeshje si trajner provizor arriti 14 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. Më 28 mars 2019 Solskjaer firmosi kontratën 3-vjeçare dhe bilanci që në këtë moment është katastrofik: 17 ndeshje, 5 fitore, 4 barazime dhe 8 humbje. Faji i firmës…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë