Politike

Demokratët nisën procedurat për shkarkimin e presidentit Trump

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha të martën se do të nisë një hetim zyrtar nëse presidenti Donald Trump, duhet t’u nënshtrohet procedurave të shkarkimit.

Dhoma e kontrolluar nga demokratët do të shqyrtojë nëse presidenti Trump ka kërkuar ndihmën e Ukrainës për të hedhur baltë mbi ish nënpresidentin Joe Biden, i cili kryeson garën e demokratëve si kandidat presidencial për zgjedhjet e vitit 2020.

Hetimet lidhen me një një telefonatë që presidenti Trump ka zhvilluar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në të cilën aludohet se i ka kërkuar bashkëbiseduesit të hetojë rreth rivalit të tij politik, Joe Biden.

“Askush nuk është mbi ligjin”, tha Nancy Pelosi.

Pas muajsh përmbajtjeje, zonja Pelosi u bind se veprimet e raportuara të presidentit Trump dhe refuzimi i administratës së tij për të ndarë hollësitë, nuk i lanë Dhomës së Përfaqësuesve zgjidhje tjetër, por të çonte përpara një hetim.

“Prandaj sot unë jam duke shpallur se Dhoma e Përfaqësuesve po ecën përpara me një hetim zyrtar lidhur me shkarkimin”, tha ajo.

Zonja Pelosi tha se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të mërkurën mbi një rezolutë lidhur me ankesën e një informatori të inteligjencës që ka të bëjë me telefonatën midis zotit Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, ndërkohë që administrata refuzon të dorëzojë përmbajtjen e ankesës.

Ajo tha se ishte e qartë se kreu në detyrë i inteligjencës kombëtare, Joseph Maguire po shkelte ligjin, duke mos lejuar që përmbajtja e ankesës t’i kalojë Kongresit.

Por presidenti Trump, që ndodhej në OKB  reagoi ashpër ndaj vendimit të demokratëve duke e cilësuar atë “ndjekje shtrigash”.

“Një ditë kaq e rëndësishme në Kombet e Bashkuara, kaq shumë punë dhe kaq shumë sukses, dhe demokratët me qëllim duhej ta prishnin atë me më shumë lajme me këtë ndjekje shtrigash”, shkroi ai në twitter, “A mund ta besoni këtë?”

Ish-nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, aktualisht kandidat për president, i bëri thirrje më herët të martën presidentit Trump që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet e Kongresit mbi telefonatën që ka patur me presidentin ukrainas në të cilën thuhet se i ka bërë presion bashkëbiseduesit për të hetuar djalin e tij, Hunter. Përndryshe, shtoi zoti Biden, ai rrezikon të largohet nga posti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë