U duk se bukuria e derbit të kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit do të zbehej nga fakti se kjo ndeshje do të zhvillohej në orën 16:00 të dielën, pasi nuk kishte garanci për ndriçimin. Një orar i pazakontë, por situata ka ndryshuar dhe derbi do të ketë atmosferën e mëparshme, atë të mbrëmjes. Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar zyrtarisht se ndeshja do të luhet në orën 19:00, pasi është marrë garanci nga OSHE-ja.
“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të informojë opinionin publik se ndeshja Tirana-Partizani, e vlefshme për javën e 6 të Kategorisë Superiore, do të zhvillohet ditën e diel, ora 19:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ky vendim është marrë pas garancisë që ka dhënë OSHE në lidhje me furnizimin me energji elektrike dhe pa probleme gjatë orarit të zhvillimit të derbit të Tiranës”, – shkruhet në njoftimin e FSHF-së. Më pas ishte edhe klubi organizator, Tirana, që ka konfirmuar të njëjtën gjë.
Stadiumi “Selman Stërmasi” ka pasur probleme me ndriçimin disa herë, madje edhe në derbi, ku është ndërprerë energjia dhe në një rast pjesa e mbetur e ndeshjes është zhvilluar të nesërmen. Rasti i fundit i problemit me dritat është ai i ndeshjes me Teutën, që u ndërpre për gati 45 minuta për shkak të ikjes së dritave. Mbetet për t’u parë nëse garancia e OSHE-së është vetëm për derbin, apo edhe për ndeshjet e tjera të Tiranës dhe Partizanit, që luajnë në këtë stadium. Pak ditë më parë FSHF-ja ua hoqi të drejtën disa stadiumeve për ndeshje me drita, për shkak të problemeve që kanë. Vetëm “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi” japin garanci në këtë drejtim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje