Futboll

Interi me marsh të pestë, mbrëmje e errët për kuqezinjtë e Serisë A

Pesë ndeshje, pesë fitore. Nuk ka ku shkon më mirë për Interin e Antonio Kontes, që nuk di të ndalet dhe kryeson Serinë A me pikë të plota. Lacio e Strakoshës dhe Berishës mendohej se do të ishte skuadra që mund t’i ndalte zikaltrit, por “makineria” e Interit funksionon mjaft mirë. Ndryshe nga paraardhësit e tij, edhe pse skuadra nuk dhuron spektakël në fushë, Konte është rezultativ dhe titulli kampion nuk është më një mirazh për tifozët zikaltër.

Strakosha, titullar si gjithmonë, ka marrë vlerësime nga shtypi italian. Në rastin e golit të shënuar nga D’Ambrozio nuk ka faj, pasi goditja me kokë është nga shumë afër dhe Xhoni nuk arrin ta mbulojë. Portieri i Kombëtares së Shqipërisë është vlerësuar në planin individual, sepse ka bërë dy pritje të bukura në pjesën e dytë, duke reaguar mjaft mirë ndaj Barelas dhe Politanos, megjithatë Lacio ka humbur. Nota e portierit të Lacios ishte 6.5, kurse Valon Berisha, i futur në fushë si zëvendësues, nuk mundi ta bënte ndryshimin që trajneri Inzagi i kërkoi.

Interi feston fitoren ndaj Lacios. Gazeta Si, 26 shtator 2019

Një mbrëmje e errët ishte për portierin tjetër kuqezi, Etrit Berisha, i cili pësoi 3 gola nga Leçe, 2 nga të cilët me penallti. Spali humbi 1-3 në fushën e tij, duke hedhur një hap të gabuar në javën e 5-të të Serisë A. Elseid Hysaj dhe Berat Gjimshiti kanë qëndruar në stol mbrëmjen e së mërkurës, nuk janë aktivizuar as si zëvendësues . Të paktën Gjimshiti shijoi fitoren e Atalantës 0-2 në “Olimpico” ndaj Romës, kurse Napoli i Hysajt u mund 0-1 në “San Paolo” nga Kaljari. Ky ishte edhe rezultati më surprizues i kësaj jave në kampionatin italian.

Seria A kryesohet nga Interi pas 5 javësh me 15 pikë. Në vend të dytë është Juventusi me 13 pikë dhe më pas vjen Atalanta me 10 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë