Komunitet

Hidrocentrali zhduk qytetin e banuar prej 12 mijë vitesh

Atë që nuk e bënë dot tërmetet, përmbytjet, zjarret dhe luftërat në 12 mijë vite histori, dora e njeriut e realizon brenda pak viteve. Banorët e qytetit Hasankeyf në jug-lindje të Turqisë duhet të largohen nga shtëpitë e tyre para datës 8 tetor.

Ky është urdhri që kanë marrë nga autoritetet turke rreth 15 mijë banorë që kanë mbetur ende në këtë qytet. Vendimi lidhet me hapjen e digës që do të realizojë përmbytjen e kontrolluar të qytetit dhe zonave përreth nga ujërta e lumit Tigër për të ngritur një hidrocentral.

Vendndodhja e qytetit që banohet prej të paktën 12 mijë vitesh në Turqi. Gazeta Si, 29 shtator 2019

Arkeologët kanë dokumentuar prej kohësh se qyteti Hasakeyf banohet prej të paktën 12 mijë vitesh, duke qenë herë kryeqendër dhe herë periferi e kulturave të ndryshme, apo miksimi kulturash, që nga qytetërimi antik i Mesopotamisë, e deri tek bizantinët, arabët dhe osmanët në fund.

E gjithë kjo trashëgimi do të varroset nën ujërat e rezervuarit të hidrocentralit në fjalë, që do të përmbytin zona arkeologjike me rëndësi. Diga për ndërtimin e këtij HEC-i nisi që në vitin 2005. Në atë kohë qyteti banohej nga 55 mijë persona.

Zbulimet arkeologjike të lëvizshme janë zhvendosur prej kohësh, por arkeologët “vajtojnë” zhdukjen e një rrjeti dhe sistemi të tërë shpellash, që do të pushtohen nga uji, që dikur kanë qenë të banueshme dhe një pjesë e të cilave banohet ende edhe sot.

Arkeologë turq dhe ndërkombëtarë ngritën alarmin duke kërkuar që projekti të ndryshojë, pasi nëntoka e zonës që do të përmbytej mund të fshehë të tjera dëshmi me rëndësi të antikitetit.

“Nëse gërmon këtu do të gjesh kultura që i mbivendosen njëra-tjetrës”, deklaroi për The Guardian një banor vendas.

Tashmë, qyteti do të zhvendoset rreth 4 kilometra më tutje dhe bashkë me të edhe zbulimet arkeologjike të realizuara ndër vite aty. Aktualisht janë më pak se 6 mijë banorë që nuk janë shpërngulur ende, ndërkohë që përveç mobiljeve dhe orendive shtëpiake, ata kanë kërkuar kohë që të zhvendosin nga varrezat e qytetit eshtrat e të afërmve të tyre.

Qeveria turke ka përzgjedhur që prej vitit 1980 qytetin Hasakeyf si zona më e përshtatshme për ndërtimin e HEC-it Ilisu, që ka si objektiv furnizimin me energji elektrike të të gjithë rajonit. Rezervuari ka një kapacitet prej 11 miliardë metër/kub ujë, ndërsa energjia elektrike e prodhuar do të jetë 1200 MegaWatt.

Burimi: Business Insider


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë