Politike

Drafti i BE: Shqipëria dhe Maqedonia të marrin dritën jeshile në 15 tetor

Shqipëria ka të ngjarë të marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave nga të gjitha vendet anëtare në mbledhjen e Këshillit të BE-së në tetor.

Sipas draftit të siguruar nga agjensia e lajmeve “Bloomberg” Bashkimi Europian do të njoftojë hapjen e bisedimet të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë takimit të ministrave të punëve të BE në Luksemburg në 15 tetor.

“Në dritën e përparimit dhe reformave te arritura, ministrat e BE do të bien dakord për të hapur negociatat e pranimit me të dyja vendet”, thuhet në draftin që po qarkullon mes vendeve anëtare që nga e premtja, sipas të cilit vendet anëtare pritet të nisin bisedimet e pranimit me qeveritë në Tiranë dhe Shkup.

Agjencia e lajmeve “Bloomberg” shkruan se edhe pse formulimi i draftit që do të miratohet nga vendet anëtare mund të ndryshojë deri më 15 tetor, ashtu si drafti që qarkullonte në media në qershor, ai rekomandon hapjen e negociatave.

“Bloomberg” thotë se ashtu si drafti në qershor, edhe draft-rezoluta që po qarkullon tani nuk jep një rekomandim të fuqishëm për të filluar bisedimet.

Artikulli i “Bloomberg”

“Në qershor u miratua shtyrja për hapjen e negociatat të pranimit, pasi vende si Franca, Holanda, Gjermania dhe Danimarka dolën kundër. Qeveritë perëndimore janë acaruar nga dështimi i vendeve të Europës Lindore, të cilat iu bashkuan bllokut nga viti 2004, për të ndërmarrë reforma gjithëpërfshirëse në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Ata janë të kujdesshëm kur të pranojnë anëtarët e rinj në klubin më të madh tregtar në botë, ku njerëzit, mallrat dhe shërbimet mund të lëvizin lirshëm”, shkruan “Bloomberg”. “Vende si Polonia, Hungaria dhe Rumania, ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve strukturore të BE-së dhe ndihmën bujqësore, nuk janë në të njëjtën vijë politike me Komisionin Evropian mbi standardet e tyre demokratike dhe deri më tani ekzekutivi i bllokut nuk ka arritur t’i detyrojë të ndërmarrin reforma. Në komunikatën e saj në qershor për zgjerimin, BE tha se pranimi i anëtarëve të rinj duhet të marrë parasysh edhe aftësinë e bllokut për t’i integruar këto vende”, thekson agjencia amerikane e lajmeve.

“Bloomberg” e vendos theksin tek Maqedonia e Veriut, duke shkruar se edhe pse bisedimet e pranimit zgjasin me vite, apo edhe dekada, si në rastin e Turqisë dhe përfundimi i tyre nuk është i garantuar, fillimi i procesit është një fitore për qeverinë e vendit fqinj.

“Shkupi ka investuar pjesën më të madhe të kapitalit politik në një marrëveshje me Greqinë për të ndryshuar emrin kushtetues të ish republikës Jugosllave, me shpresën se kjo do t’i hapte rrugën anëtarësimit në BE. Qeveria e re greke ka thënë se nuk pajtohet me marrëveshjen e arritur midis Maqedonisë së Veriut dhe paraardhësit të saj, por nuk do ta anulojë atë për shkak të nevojës për të ruajtur vazhdimësinë në marrëveshjet ndërkombëtare. Sidoqoftë, formulimi i draftit që do t’u paraqitet ministrave të BE-së më 15 tetor, i cili thotë se ‘mbështet fuqishëm marrëveshjen historike të Prespës’, mund të shkaktojë një reagim të ashpër në Athinë, pasi shumica e votuesve të partisë qeverisëse kundërshtojnë këtë pakt”, shkruan “Bloomberg”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë