Politike

Kush do të pasojë Hahn? Hungaria nominon kandidat të ri

Ish-ministri hungarez i Drejtësisë nuk do të jetë Komisioneri  i ri i Zgjerimit, por ky portofol do të vazhdojë të mbetet në duart e Budapestit. Ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor presin me padurim të takohen me të pasuesin e Johannes Hahn, zhvillimet në Bruksel duket se kanë marrë një kthesë të papritur.

Në momentin e fundit, Hungaria ka emëruar ambasadorin e saj në BE, Olivér Várhelyi, si kandidatin e ri për Komisionin Europian, pasi një Komisioni i Çështjeve ligjore të Parlamentit Europian bllokoi kandidatin e parë të paraqitur nga kryeministri Viktor Orbán.

Várhelyi do të zëvendësojë ish-ministrin e drejtësisë László Trócsányi si kandidatin e Hungarisë për të marrë portofolin e zgjerimit. Trócsányi u refuzua të hënën nga komiteti i çështjeve juridike të PE-së për shkak të konflikteve të interesit dhe lidhjet me Rusinë.

Orbán tha se kishte zgjedhur ta zëvendësonte Trocsanin pasi kishte folur me Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen.

“Unë nuk e refuzova kërkesën e Presidentes, por në këto kushte nuk mund të zgjedh  një nga politikanët hungarezë,” tha Orbán. “Në këto rrethana unë mund të propozoj vetëm një teknokrat, dikë që e njeh BE-në nga brenda dhe nuk është i emëruar politik. Unë caktova Ambasadorin tonë të BE, Olivér Várhelyi, si kandidatin zyrtar të Hungarisë dhe i kërkova Presidentes të vihej në kontakt me të”, deklaroi kryeministri hungarez.

Kjo lëvizje duket se i kurseu Von der Leyen një “betejë politike”. Pa zëvendësimin  Trocsanit si Komisionari i ri për Zgjerimin, ajo do të duhej të vendoste nëse do të shtynte kandidatin përballë refuzimeve të ligjvënësve ose të zgjidhte një luftë me Orbán.

Presidentja e Komisionit Evropian aktualisht i ka kërkuar jo vetëm Hungarisë, por edhe Rumanisë që zëvendësojnë komisonerët e zgjedhur, pas vendimit të Parlamentit Europian për të mos mbështetur Laszlo Trócsányi dhe rumunen Rovana Plumb.

Laszlo Trocanyi

Kandidati i sapozgjedhur për të pasuar Johannes Hahn do të duhet të intervistoher nga Presidentja e KE-së si të gjithë kandidatët e tjerë dhe duhet të paraqesë një deklaratë të të ardhurave pranë Komisionit të Çështjeve Ligjore të PE-së(JURI) përpara se të mund të kalojnë në fazën e seancave dëgjimore .

Sipas gazetës europiane“Politico”, Várheli është shumë i njohur në Bruksel. Ai iu bashkua ministrisë së jashtme të Hungarisë në mesin e viteve 1990 dhe kryesoi misionin e Hungarisë në BE përpara pranimit në unionin europian.

Kush është pasuesi i mundshëm i Johannes Hahn?

Varheli është një përfaqësuesit më të vjetër të Hungarisë në BE dhe ka shërbyer përgjatë muajve të fundit edhe si kanal komunikimi mes Brukselit dhe Budapestit, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara mes dy palëve. Ai nuk ka punuar me asnjë nga vendet e Ballkanit ose me çështje që lidhen me rajonin apo zgjerimin e BE-së dhe cilësohet gjerësisht si një figurë e pavarur nga politikat e Budapestit.

Nga viti 2011 deri në vitin 2015 ai shërbeu si Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i Hungarisë në BE për t’u emëruar më pas si ambasador i Budapestit në union.

Ai ka mbajtur disa  poste në Komisionin Europian, ku në vitin 2008 u emërua Shef i njësisë përgjegjëse për të drejtat e pronësisë industriale. Ai ka shërbyer po ashtu si shef i Departamentit të Drejtësisë të Bashkimit Evropian, deri në vitin 2006 dhe si këshilltar juridik i misionit të Hungarisë në Bashkimin Evropian

Nga vitit 1996 deri në 2001 ai ishte pjesë e misionit të Hungarisë për anëtarësimin në BE dhe ndoqi nga afër procesin “screening” dhe përshtatjen e legjislacionit.

Olivér Várhelyi dhe Viktor Orban

Trocsani refuzohet për shkak të lidhjeve ruse?

Anëtarët e Parlamentit Evropian ngritën të hënën shqetësimet për shkak të lidhjeve të László Trócsánit me Rusinë, duke kundërshtuar haptazi kandidatin hungarez për Komisionin Europian.

Komiteti Ligjor i PE-së nuk ndau detaje publike për këtë vendim, por “Politico” shkruan se Brukseli është i shqetësuar për marrëdhëniet miqësore të ish-ministrit hungarez të Drejtësisë me Moskën.

“Shqetësimet e komitetit u përqendruan në marrëdhëniet e tij me një firmë juridike që ai themeloi dhe në vendime të ndryshme të lidhura me Rusinë. Marrëdhëniet me Rusinë janë një aspekt i rëndësishëm i portofolit për të cilin ishte nominuat zoti Trócsáni. Komiteti ishte veçanërisht i shqetësuar për lidhjet e tij me Rusinë, veçanërisht duke pasur parasysh rolin e tij si ministër i drejtësisë në ekstradimin e të dyshuarve rusë në Rusi, pavarësisht një kërkesë paraprake për ekstradim nga SHBA-ja. Gjatë mandatit të tij si ministër i drejtësisë, Trócsányi miratoi ekstradimin e dy trafikantëve armësh, Vladimir Lyubishin dhe Vladimir Lyubishin,  në vendin e tyre. Të dyshuarit më vonë u lanë të lirë”, shton gazeta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë