Futboll

Dhuna masive në derbi, Tirana pezullon drejtorin e stadiumit

Drejtori i stadiumit “Selman Stërmasi”, Ksenofon Haskoçela, është pezulluar nga detyra. Vendimi është marrë nga drejtuesit e klubit të Tiranës, pas dhunës masive që shpërtheu mes tifozërive të Tiranës dhe Partizanit para ndeshjes derbi të ditës së diel, ku pati edhe disa të plagosur.

Haskoçela konsiderohet përgjegjës për atë çfarë ndodhi para derbit, pasi nuk kishte marrë masat e duhura për organizimin e ndeshjes pa probleme. Ajo që e rëndoi edhe më tej situatën është zbulimi i një plani të konsideruar akt terrorist i ulstrave të Tiranës, të cilët kishin hapur disa gropa pranë tribunës ku ishin vendosur tifozët dhe i kishin mbushur ato me lëndë plasëse. Një plan që u zbulua në momentin e përleshjes së tifozëve të dy skuadrave para se të niste ndeshja. Sherri masiv ndodhi pikërisht në vendin ku ishin hapur gropat. Një ngjarje shumë e rëndë kjo, e paparë më parë në stadiumet tona, ku drejtori Haskoçela ka përgjegjësitë e veta, pavarësisht se ai ka deklaruar se e ka vënë në dijeni policinë.

Drejtori i stadiumit “Selman Stermasi”, Ksenofon Haskocela. Gazeta Si, 1 tetor 2019

Drejtori i stadiumit “Selman Stërmasi”, Ksenofon Haskoçela, nuk është një personazh i panjohur, veçanërisht për tifozët e Partizanit. Këta të fundit e kanë akuzuar pas një derbi të majit të 2016-ës se drejtori Haskoçela kishte hedhur fishkezjarre drejt tribunës ku ata ishin vendosur. Për ngjarjen e derbit të fundit është hapur një hetim, ndërkohë që policia një ditë më pas shoqëroi një person, dy të tjerë i shpalli në kërkim dhe 6 po procedohen në arrest shtëpie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë