Gjatë fjalës së mbajtur në Parlament, Kryeministri Edi Rama deklaroi se reformën zgjedhore mund ta realizojë me deputetët e opozitës parlamentare nëse Partia Demokratike refuzon që t’i bashkohet Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku mazhoranca i ka dhënë, të paktën parimisht, të drejtën e vetos.
Lulzim Basha nuk vonoi dhe e komentoi këtë deklaratë të Kryeministrit duke deklaruar se kjo do të ishte shmangie e kushtit të vendosur nga Gjermania për hapjen e negociatave.
“Si do ta bëjë ai reformën zgjedhore pa opozitën? Është në kushtet e Bundestagut, që e thotë fare qartë; që reforma zgjedhore duhet të bëhet sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, me dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, ashtu siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR. Vetëm në mendjen e një njeriu që nuk e do integrimin europian mund të ndodhë kjo e para. Më kë do ta bëjë ai reformën zgjedhore, me Tom Doshin, Dakon, me Avdylajt?”, deklaroi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike foli me bindje se Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat as këtë tetor dhe se vendi po izolohet dhe mbetet i vetëm në rrugën e integrimit europian. Ramën e akuzoi për propagandë.
“U kam thënë shqiptarëve që me mënyrën sesi Edi Rama po mbyll dhe rrezikon rrugën europiane për shqiptarët, fajtorë do të jetë çdokush, i vetmi person që nuk do të ketë përgjegjësi për këtë do të jetë vetvetja. Sapo e mbajti fjalimin në pseudoparlament. Përgjegjësinë e ka Edi Rama për dështimin për herë të katërt për hapjen e negociatave. Ky dështim ka vetëm vulën e tij përsipër. Premtoi hapjen e negociatave dhe dështoi siç ka dështuar në çdo premtim tjetër. Nuk është dështimi më i fundit, por është më i freskëti në kaosin dhe krizën ku ka futur vendin me qeverisjen e korruptuar dhe të lidhur me krimin. Pse i thonë po Maqedonisë dhe jo Shqipërisë? Arsyeja është e thjeshtë, sepse Edi Rama ka dështuar në secilën prej fushave ku Shqipërisë i është kërkuar progres dhe tani do t’i ikë përgjegjësisë”, deklaroi kreu i PD.Basha akuzoi rivalin e tij politik se ndryshe nga retorika, me veprimet që po kryen nuk e do integrimin e vendit dhe për këtë dha edhe arsyen.
“Njeriu që vuri diktatin për dështimin e hetimeve për blerjen e votave, që vuri rekorde të kultivimit të kanabisit dhe faktohet sërish si bazë botërore e trafikut të drogës, fakton para shqiptarëve se ai nuk e do integrimin europian, sepse në një vend që kërkon të integrohet në BE, një Kryeministër që mbush qeverisjen me kriminelë, që bën ligje për të vjedhur popullin e vet, që mban ministra të lidhur me krimin nuk zgjat dot as 24 orë”, vijoi ai.
Kryedemokrati përsëriti thirrjen drejtuar kreut të Qeverisë për të pranuar plaatformën me pesë pika të dorëzuar nga demokratët për nxjerrjen e vendit nga kriza. Basha thotë se platforma siguron edhe plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave.
Por, pjesë e platformës është edhe pika që kërkon ndërmarrjen e reformës zgjedhore nga një strukturë jashtëparlamentare dhe me prani të fortë të ndërkombëtarëve. Basha përsëriti thirrjet që ose të realizojë platformën e propozuar nga opozita, ose Edi Rama të largohet.
“Ka ardhur koha të hapë krahun dhe të lejojë një vizion të ri, rrugë të re me mundësi për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë. Kemi udhëheqjen e gabuar prej 6 vitesh, udhëheqje të gënjeshtërt, të lidhur me krimin dhe të korruptuar deri në palcë. Na duhet një drejtim i ri dhe na duhet shpejt. Reforma zgjedhore, që i hap rrugën është prioritet i BE, i shqiptarëve dhe opozitës, i PD dhe i imi personal. Përtej llafeve të bukura, batutave dhe fjalimeve boshe të Edi Ramës kemi propozuar një plan të qartë që i hap rrugë ndryshmeve dhe reformës së thellë të vendit, i jep fund krizës politike dhe hap rrugë plotësimit të 9 kushteve për negociatat. Plani është në tavolinë, ta marrë ta zbatojë, ose të hapë krahun. Është betejë për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe ne kemi propozuar hapat”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje