Superiorja luan javën e 9-të të saj në mesjavë. Sot zhvillohen katër ndeshje të saj dhe e veçanta është se ato startojnë në orën 13:00. Teuta dhe Tirana, dy skuadrat që kryesojnë renditjen, luajnë të dyja në transfertë dhe ndaj kundërshtarëve mjaft të vështirë. Durrsakët, me 15 pikë në këto 8 javë, shkojnë në fushën e Laçit, që ka nevojë për pikë, sepse ndodhet në zonën e rrezikshme. Një test force për të besuarit e trajnerit Shkëmbi, që do të vërtetojë, nëse Teuta është vërtet një pretendentë për titull, apo do të mjaftohet edhe këtë sezon me Kupat e Europës.
Tirana shkon në Ballsh, ku gjen shumë ish-futbollistë si kundërshtarë, duke nisur nga portieri Isli Hidi, për të vazhduar me mbrojtësit Ditmar Bicaj, Jurgen Goxhaj dhe Ardit Peposhi. Edhe për skuadrën e Memës është një ndeshje që do të tregojë shumë. Bylisi ka bërë një kampionat shumë të mirë deri tani, madje deri javën e fundit ishte në pozita kryesuese, kështu që për kryeqytetasit nuk do të jetë aspak e lehtë. Trajneri Ardian Mema mbetet gjithmonë i rrezikuar, duke qenë se pritshmëritë për Tiranën këtë sezon janë të mëdha. Në Ballsh i bën punë vetëm fitorja.
Dy ndeshjet e tjera që luhen sot janë Kukësi-Luftëtari (luhet në Lushnjë) dhe Flamurtari-Vllaznia. Kuksianët kanë zhgënjyer javët e fundit dhe sot kanë shansin të rehabilitohen me një fitore ndaj gjirokastritëve me shumë elementë të rinj në përbërje. Vllaznia, pas disfatës në “Loro Boriçi” me Partizanin, shkon në Vlorë, ku gjen një Flamurtar me një mijë e një probleme, por që sigurisht nuk do ta presë me “tapet të kuq”. Vlonjatët kanë katër shkodranë në përbërje dhe besojnë se ia dinë “sekretet” skuadrës kundërshtare. Ndeshja që mbyll javën e nëntë luhet nesër, në orën 15:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku Partizani pret Skënderbeun.
Dy skuadrat që kanë rivalizuar vitet e fundit për titullin kampion, këtë herë përplasen në një situatë ndryshe. Kampionët në fuqi të Partizanit janë favoritë jo vetëm se luajnë në fushën e tyre, por edhe sepse kanë një ekip më kualitativ. Gjithsesi, korçarët e ekspertit Ilir Daja nuk mund të nënvlerësohen kurrësesi.
Java e 9-të
Sot
Laçi-Teuta
Bylis-Tirana
Kukësi-Luftëtari
Flamurtari-Vllaznia
Nesër
Partizani-Skënderbeu
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje