Futboll

Fiksohet data për “El Clasico”-n në Spanjë, Liga kërcënon me gjyq

Barcelona-Real Madrid, ose siç e njohin të gjithë tashmë “El Clasico”, do të zhvillohet më 18 dhjetor. Kjo ndeshje ishte në program të luhej të shtunën në “Camp Nou”, por tensioni në Katalonjë solli shtyrjen e saj dhe tashmë është marrë vendimi zyrtar se kur do të luhet. Mbetet të saktësohet vetëm orari. Lajmi është bërë i ditur nga Federata Spanjolle, por çështje nuk është mbyllur me kaq.

La Liga kërcënon se do ta ndjekë këtë çështje në rrugë ligjore. Drejtuesit e saj pretendojnë se kanë të drejtën për të zgjedhur datën e ndeshjes, e shtyrë për arsye madhore, pasi e kanë ata mandatin ligjor për ta bërë këtë gjë, duke llogaritur përfitimet nga të drejtat televizive e kështu me radhë. Kjo do të thotë se do të ketë një gjyq së shpejti, pasi data 18 dhjetor ka qenë e planifikuar për një tur të Kupës së mbretit. Drejtuesit e futbollit në Spanjë, presidenti i Federatës, Rubiales, dhe presidenti i Ligës, Tebas, kanë përplasje të forta mes tyre.

E sigurt ishte se më 26 tetor nuk do të luhej kjo ndeshje që ndiqet nga e gjitha bota. Qeveria e Spanjës i druhej faktit se zhvillimi i “El Classico”-s do ta rëndonte situatën e tensionuar sociale dhe politike në Katalonjë, pas dënimit të liderëve të lëvizjes separatiste. Të shtunën në qytetin katalanas është parashikuar të zhvillohet një manifestim i madh nga ata që kërkojnë pavarësinë e Katalonjës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë