Futboll

Interi parakalon Borusian, “të mëdhatë” tregojnë dhëmbët në Champions

Nuk mund ta humbiste Interi kurrsesi shansin për fitoren e parë në Champions. Në “San Siro”, ndaj një rivali direkt si Borusia Dortmund, skuadra e Kontes ka bërë detyrën, duke mundur 2-0 gjermanët dhe duke i parakaluar ata njokohësisht në renditje. Një gol i Lautaro Martinez në limitet e pozicionit të rregullt zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë. Në fundin e ndeshjes dyfishoi Kandreva, ndërkohë që pak minuta më parë Lautaro Martinez shpërdoroi një 11-metërsh. Borusia, me mungesa të rëndësishme, nuk dha atë që pritej në Milano dhe e meritoi humbjen.

Interi mban vendin e dytë pas kësaj fitoreje, me 4 pikë, po aq sa ka edhe Borusia dhe ndoshta fatin e kualifikimit do ta vendosë ndeshja tjetër në Dortmund, ku zikaltrit duhet të mos humbin. Barcelona kryeson grupin, pas fitores 1-2 në fushën e Sllavias së Pragës, e ndihmuar nga një autogol i Peter Olajinkës. Thuajse të gjitha skuadrat e mëdha kanë treguar dhëmbët në ndeshjet e treta në grup. Kampionët në fuqi të Liverpulit mposhtën thellë Genkun në Belgjikë. Të besuarit e Klop shënuan 4 herë në këtë ndeshje dhe vazhdojnë të qetë rrugëtimin e tryre për të mbrojtutr kurorën.

Fitoi edhe Napoli në fushën e Salcburgut, por me vështirësi. Mertens dy herë dhe më pas Insinje shënuan golat e fitores 2-3 të skuadrës së Ançelotit. Benfika mundi 2-1 Lionin, kurse Valencia barazoi 1-1 në fushën e Lilës. Deri diku surprizë mund të quhet fitorja e Çelsit në fushën e Ajaksit, falë golit të Baçuauit në fundin e ndeshjes. Një fifore me vlera për ekipin e drejtuar nga Frenk Lampard.

Rezultatet e ndeshjeve të sotme
Lajpcig-Zenit 2-1
Ajaks-Çelsi 0-1
Genk-Liverpul 1-4
Inter-Borusia Dortmund 2-0
Sllavia Pragë-Barcelona 1-2
Benfika-Lion 2-1
Lilë-Valencia 1-1
Salcburg-Napoli 2-3


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë