Futboll

Rasti i artë për kreun, Partizani ka shumë arsye ta mundë Skënderbeun

Partizani-Skënderbeu është ndeshja që mbyll javën e 9-të të Superiores, njëkohësisht edhe fazën e parë të kampionatit. I favorizuar nga rezultatet e katër ndeshjeve të djeshme, ekipi i kuq ka sot shansin e artë të ngjitet në vend të parë. Kampionët në fuqi kanë 14 pikë dhe me një fitore të mundshme ndaj korçarëve do të parakalonin gjithë rivalët. Kjo është arsyeja kryesore pse të kuqtë duhet të bëjnë gjithçka për të fituar në “Selman Stërmasi”.

Skënderbeu është një rival “i betuar” i viteve të fundit dhe tifozët e Partizanit kërkojnë me çdo kusht që skuadra e tyre të triumfojë. Nëse sot merr kreun, Partizani më pas ka mundësinë e shkëputjes nga rivalët, sepse kalendari e favorizon, kështu që nuk mund ta humbë këtë shans. Pas atij fillimi të dobët, të kuqtë kanë gjithçka në dorën e tyre për të vënë pak rregull në kreun e renditjes. Trajneri Franko Lerda ka një grup më të plotë këtë radhë dhe nuk ka asnjë justifikim. Të gjitha rrugët e çojnë Partizanin te fitorja.

Nga një ndeshje mes Partizanit dhe Skënderbeut sezonin e kaluar. Gazeta Si, 24 tetor 2019

Trajneri italian i kampionëve ka folur me superlativa për kundërshtarin, duke iu referuar ndeshjes së Skënderbeut me Kukësin. Lerda ka theksuar se Skënderbeu prodhon futboll të bukur dhe rezultativ, ndaj dhe ka kërkuar nga të tijtë që të ruajnë përqendrimin për të mos u ndëshkuar nga kualitetet e korçarëve. Këta të fundit treguan vërtet një formë të mirë në ndeshjen e fundit, pavarësisht se nuk mundën të fitonin. Trajneri Ilir Daja ka besim se ekipi i tij do të vazhdojë me këtë ritëm, pasi e ka kapacitetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë