Futboll

Partizani, presidentin Demi e gjen belaja me sherrxhiun Lerda

Trajneri italian i Partizanit, Franko Lerda, është një tip shumë i vështirë, sidomos në komunikim. Ai e mori drejtimin e ekipit të kuq në verë, pas largimit të Skënder Gegës, por që atëherë klubi kryeqytetas ka vuajtur për shkak të temperamentit të tij, ndërsa për anën sportive dhe teknike është i kënaqur.

Lerda ishte shumë nervoz gjatë ndeshjes së djeshme me Kukësin, e mbyllur në barazim, 0-0. Ai pati një debat me kolegun e tij te Kukësi, Shpëtim Duro, ndërsa pas ndeshjes gati sa nuk përfundoi në një sherr me grushte zënka me ndihmësin Dritan Mehmeti. Një sjellje krejtësisht e pahijshme e një personi që vjen nga një vend si Italia dhe që presupozohet se sjell më shumë profesionalizëm në vendin tonë. Por Lerda nuk del dot nga personaliteti i tij. Që në ditët e para të stërvitjes me Partizanin, ai pati një debat të fortë me të dy ndihmësit e tij, Dritan Mehmetin dhe Korrado Sakonen. Arsyeja ishte shumë banale: trajneri donte një dhomë më vete për t’u ndërruar. Në atë kohë drejtuesit e kuq morën kohën e nevojshme dhe në fund vendosën të bënin “kokë turku” italianin Sakone, përgatitësin atletik që ishte pjesë e stafit të Partizanit prej disa vitesh.

Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, gjatë ndeshjes me Kukësin. Gazeta Si, 29 tetor 2019

Tani presidentin e Partizanit, Gaz Demi, e ka gjetur belaja sërish me sherrxhiun Lerda, i cili mësohet se ka qenë i gatshëm të japë dorëheqjen, pasi nuk punon dot në kushte të tilla. Italiani nuk e do më si ndihmës Mehmetin, është e qartë. Përsëri drejtuesit e klubit të kuq kanë kërkuar që ta qetësojnë situatën, por e kuptojnë shumë mirë se këtë radhë duhet t’i japin zgjidhje një herë e mirë problemit. Nëse largojnë Mehmetin, është frika se Lerda do të bëjë të njëjtën gjë me ndihmësin që do të ketë në vazhdim. Presidentin Demi e ka gjetur vërtet beleja me Lerdën, sepse ai është një zgjedhje e drejtorit Olsi Rama, i cili ka në dorë çelësat e Partizanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë