Politike

Zaev kap “shah-mat” BE-në, ngrin Marrëveshjen e Prespës

“Nëse në Ballkan fiken dritat e BE-së do të sundojë errësira”. Me anë të këtij paralajmërimi, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev njoftoi sot një nga lëvizjet me tij më të guximshme në “shahun” e politikës së jashtme: “ngrirjen e Marrëveshjes së Prespës”.

Ky vendim, i cili duket se zë “shah-mat” Bashkimin Europian, vjen jo vetëm si një lëvizje për të zbutur elektoratin maqedonas përpara zgjedhjeve të parakohshme, por edhe mjet presioni ndaj Brukselit për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Përpara mbërritjes në Romë, ku do të takohet me kryeministrin italian, Xhuzepe Conte, Zaev ka dhënë një intervistë për “Euronews”, duke paralajmëruar sot se “një pjesë e Marrëveshjes së Prespës ngrin, pasi është i pamundur zbatimi i plotë”.

Sipas tij, pakti i emrit i nënshkruar vitin e kaluar me ish-kryeministrin Aleksis Tsipras ka lidhje të drejtpërdrejtë me etapat integruese të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Refuzimi i BE-së për një datë të caktuar për çeljen e negociatave, rrezikon zbatimin e disa pikave të marrëveshjes së Prespës. Marrëveshja e Prespës lidhet ngushtë me kapituj të procesit të çeljes së negociatave. Pala greke ishte dakort me këtë pjesë, duke marrë parasysh të ardhmen tonë në BE, por në kuadrin e sotëm, është e pamundur të realizohet”, shtoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

“Dy dispozita, në veçanti, të shkëmbimit të fondeve, janë të paarritshme, ndryshe rrezikojmë sovranitetin e vendit”, theksoi ai si dhe ka nënvizuar edhe njëherë se integrimi në BE është e vetmja alternativë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Ngrirja e Marrëveshjes së Prespës do të ishte një goditje e rëndë për BE-në, e cila e ka cilësuar këtë pakt si arritjen e saj më të madhe diplomatike në Ballkan pas viteve 90’. Por kjo marrëveshje mund të kthehet në një bumerang për Brukselin, i cili do të konsiderohej si përgjegjësi i vetëm për rrezikimin e këtij pakti historik.

Javën e kaluar, Zaev paralajmëroi BE-së se me shtyrjen e negociatave po ndëshkonte Marrëveshjen e Prespës

“Të gjithë thonë se Marrëveshja e Prespës është, aktualisht, një nga marrëveshjet më të mira në Ballkanin Perëndimor. Por nësë BE ndëshkon këtë marrëveshje duke vonuar negociatat e pranimit, si mund të presim që Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi të gjejnë një zgjidhje për çështjen e Kosovës” vijoi ai.

Merkel dhe Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, Gazeta Si, 29 tetor 2019

Zaev paralajmëroi se shtyrja e bisedimeve të pranimit do të kishte pasoja negative për vendin dhe rajonin, dhe për këtë arsye iu drejtua liderëve evropianë me fjalët “Mos na shuani yjet, bëhuni heronjtë tanë”.

Edhe pse ka pranuar se askush nuk priste një “po” të menjëhershme, Zaev thotë se si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë, një vendim paraprak nga 28 vendet e BE-së do të ishte një shtysë për vazhdimin e reformave.

Sipas Zaev, pasojat e mos hapjes së negociatave do të jenë të rënda edhe për Europën. “Çdo alternativë tjetër nuk shoqërohet me demokraci, liri, shtet të së drejtës, të drejta të njeriut, por me fuqizimin e nacionalizmit, radikalizëm të vlerave dhe vetëm errësirë”, deklaroi kryeministri maqedonas.

Vendimi për mos të nisur bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë çoi në rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Zaev, i cili shpalli zgjedhje të parakohshme duke thënë se BE-ja e kishte lënë në baltë rajonin.

Shtyrja për herë të tretë radhazi e fillimit të bisedimeve të pranimit për Zaevin, dëmtoi rëndë reputacioni e tij. Premtimi i tij kur erdhi në pushtet ishte se nëse Shkupi arrinte një marrëveshje me Athinën, me siguri do të merrte një datë për fillimin e negociatave të pranimit dhe hyrjen në NATO.

Nga dy premtimet e tij, Zaev ka arritur të sigurojë vetëm të dytin, pasi pritet që në fillim të vitit 2020 Maqedonia e Veriut të jetë vendi i 30-të anëtar i NATO-s. Me një rekord të tillë, Zaev do të japë dorëheqjen më 3 janar në funksion të zgjedhjeve të parakohshme të prillit dhe duke shpresuar për një mandat tjetër katër vjeçar për shkak të suksesit të tij në NATO. Sondazhet më të fundit nuk janë në favor të tij, por ngrirja e Marrëveshjes së Prespës është një lëvizje që mund t’i ofrojë Zaevit një mundësi për t’i kthyer gjërat në favorin e tij edhe në Shkup.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë