Futboll

Interi merr kryesimin, Kumbulla shkëlqen në fitoren ndaj Dermakut

Interi reagon mirë pas barazimit në “San Siro” ndaj Parmës dhe fiton në fushën e Breshias, me rezultatin 1-2. Një fitore e rëndësishme, që i jep kryesimin e përkohshëm Interit me 25 pikë, por Juventusi nuk e ka luajtur ndeshjen e tij. Një gol i Lautaro Martinez në pjesën e parë, i ndihmuar nga një devijim, si dhe një gol i Lukakut në të dytën, kanë bërë që skuadra e Kontes të triumfojë në Breshia. Një autogol i Skriniar rihapi ndeshjen, por vetëm kaq. Nga stoli e nisi ndeshjen për Breshian mesfushori i Kombëtares, Emanuele Ndoj, i cili e ka lënë pas dëmtimin dhe u hodh në fushë në pjesën e dytë, ku u ndëshkua me karton të verdhë.

Interi feston golin e Lautaro Martinez ndaj Breshias. Gazeta Si, 29 tetor 2019

Vazhdon të shkëlqejë në serinë A Marash Kumbulla, i cili ka dalë fitimtar me Veronën në shtëpinë e Dermakut. Skuadra e shkodranit kuqezi fitoi 0-1 në transfertë, me një gol të serbit Lazoviç, por paraqitja e Kumbullës edhe në këtë ndeshje ishte mbresëlënëse. Shtypi italian e konsideron tashmë si surprizën më të bukur të këtij kampionati sa u takon mbrojtësve. Kumbulla ishte pranë golit në një moment, gjatë zhvillimeve të një goditjeje këndi, por u ndal nga portieri i Parmës. Edhe Dermaku rrezikoi në portën e Veronës, por edhe ai ishte pa fat. Dermaku u vlerësua me notën 6, ndërsa Kumbulla me notën 7, duke qenë ndër më të mirët në fushë bashkë me autorin e golit, Lazoviç.

Verona i largohet zonës së ftohtë pas kësaj fitoreje, pasi ngjitet në kuotën e 12 pikëve, ndërsa Parma ka 13. Kumbulla vazhdon të ketë një rritje konstante në lojën e tij dhe kërkesat për të me siguri do të shtohen. Klubet e mëdha, duke parë moshën e re të mbrojtësit kuqezi, janë vënë në garë që tani për ta blerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë