Partia Demokratike kundërshton idenë që Komisioni i Venecias të interpretojë dekretin e presidentit Ilir Meta për caktimin e anëtares Marsida Xhaferllari, në një kohë që mazhoranca e cilëson si një tejkalim të afateve dhe shkelje. Përplasjet PS-Presidencë për Xhaferllarin apo Vorpsin, sekretarin e Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i sheh si një humbje kohe për të mos ngritur në kohë Gjykatën Kushtetuese.
“Duke pasur në konsideratë se Komisioni i Venecias nuk jep vendime por opinione, e vetmja pasojë do të ishte vonesa e bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe hapja e një debati tjetër mbi lexime të kundërta të çfarëdo opinioni të Komisionit të Venecias nga palët. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i këtyre debateve. Shqiptarët nuk meritojnë të mbeten për muaj të tjerë pa Gjykatë Kushtetuese. Për këtë arsye, vijimi i këtij debati vetëm sa shtyn bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese, e zvarrit atë dhe pamundëson që Shqipëria të ketë Gjykatën Kushtetuese funksionale deri në fund të vitit. Sa më gjatë pa Gjykatë Kushtetuese, sa më gjatë me gjyqtarë nën presion, aq më shumë përfiton Rama me vendimet e paligjshme, aq më shumë mbetemi peng në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian”, deklaron Bardhi.
Sa i përket çështjes së shkarkimit të Besnik Muçi, numri dy i PD-së shprehet më i rezervuar, por nuk harron të përmend mënyrën se si Ardian Dvorani e kaloi vettingun edhe pse kishte probleme me pasurinë.
“PD nuk ka komentuar dhe nuk do të komentojë asnjë vendim të vetingut për përjashtim nga sistemi i drejtësisë, me të drejtë ose me të padrejtë. Ka një numër vendimesh për përjashtim të cilat, në pamje të parë, të japin perceptimin e një padrejtësie, por detyra jonë nuk është t’i komentojmë ato. Në këto raste, ne nxisim këdo prokuror dhe gjyqtar ta kërkojë të drejtën e tij në institucionet vendase dhe ndërkombëtare. Nga ana tjetër, ne kemi denoncuar dhe do të denoncojmë me vendosmëri dhe forcë çdo rast, kur vetingu mban në sistem njerëz të korruptuar dhe të lidhur me krimin, siç është rasti i gjyqtarit Ardian Dvorani. Ai e kaloi vetingun me ndërhyrje politike, edhe pse kishte miliona lekë pasuri të pajustifikuar”, theksoi Bardhi. Ndërsa shprehu mbështetjen e presidentit Meta sa i përket çështjes së emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Ne mbështesim plotësisht qëndrimin institucional dhe kushtetues të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Është provuar qartë dhe pa asnjë mëdyshje se Edi Rama kërkonte të vidhte një anëtar që i takonte ta emëronte Presidenti. Edi Rama shkeli Kushtetutën dhe ligjin, jo vetëm duke emëruar njëkohësisht dy anëtarë në Parlament, por mbi të gjitha, duke mos zbatuar kushtin kushtetues dhe ligjor që për çdo vend vakant duhet të kishte jo më pak se 3 kandidatë të vlefshëm. Nëse flasim për vendime në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, ato janë vendimet e emërimeve që ka bërë Parlamenti në kundërshtim të hapur me nenin 125 të Kushtetutës dhe pikën 5 të nenit 7/c të ligjit të Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje