Nuk paska qenë trajneri Ardjan Mema problemi i Tiranës. Në tri javët e fundit, bardheblutë kanë marrë vetëm 2 pikë, pas 2 barazimesh dhe një humbjeje. Trajneri Julian Ahmataj nuk ka mundur ta gjejë “ilaçin” për ta shëruar Tiranën dhe pas humbjes në Korçë ka pohuar se i ka paraqitur dorëheqjen presidentit Refik Halili. Madje, ai ka lëshuar akuza të forta ndaj ekipit, duke theksuar se lojtarët mendojnë vetëm për të hequr trajnerin dhe se ai e ka të pamundur të vazhdojë në këro kushte. Mbetet për t’u parë vendimi i Halilit, por ka gjasa minimale që ai të mos e pranojë dorëheqjen e Ahmatajt.
Në Korçë ka triumfuar Skënderbeu, me rezultatin 2-1. Edhe pse me një kontigjent të dominuar nga lojtarët e rinj, skuadra e Dajës i ka dhënë një leksion të mirë Tiranës. Blerim Krasniqi në pjesën e parë dhe Ndeki në të dytën hodhën në tapet kryeqytetasit, të cilët shënuan golin e nderit vetëm në kohën shtesë me Hasanin. Me këtë fitore, korçarët ngjiten në vend të katërt, me 20 pikë.

Kukësi i afrohet vendit të parë, duke e kaluar Bylisin, pasi e ka mundur 2-1 në Elbasan. Kristal Abazaj dhe Eduard Rroca shënuan për ekipin e Duros, ndërkohë që ballshiotët pësojnë humbjen e dytë radhazi, pas asaj në shtëpi me Skënderbeun. Kukësi ngjitet i dyti, një pikë pas Partizanit, por të kuqtë nuk e kanë luajtur ndeshjen e tyre. Në Vlorë, Jurgen Vatnikaj i ka dhënë një pikë Flamurtarit në kohën shtesë, por që nuk ndryshon asgjë në renditje. Luftëtari i kishte të gjitha mundësitë të dilte fitues në stadiumin “Flamurtari”, pasi udhëhiqte me golin e Rapos deri në minutën e 92—të, kur Vatnikaj barazoi.

Dy ndeshjet e tjera të javës së 13-të të Superiores janë Vllaznia-Teuta, që luhet nesër në stadiumin “Loro Boriçi”, dhe Partizani-Laçi, që zhvillohet të hënën në stadiumin “Elbasan Arena”.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje