Futboll

Gabigol përmbys Riverin për 3 minuta, Flamengo kampion pas 38 vjetësh

Një ndeshje spektakolare është zhvilluar në Lima të Perusë, ku dy kolosë të futbollit amerikano-latin, me rreth 70 milionë tifozë në këtë kontinent, kanë diskutuar trofeun e Kupës Libertadores. Për herë të parë ky kompeticion është zhvilluar sipas formatit të Championsit, me një finale teke. Në çatinë e Amerikës së Jugut është ngjitur Flamengo, pas 97 minutash të pabesueshme. Ekipi brazilian triumfon në Kupën Libetadores pas 38 vitesh.

Një përmbysje e pabesueshme me firmën e sulmuesit Gabigol, i cili i ka vendosur “qershinë mbi tortë” një sezoni të jashtëzakonshëm. Ashtu si Ziko në vitin 1981, ai është bërë pjesë e historisë së Flamengos me golat e tij. Një triumf historik edhe për Pablo Marì, spanjolli i parë që e fiton këtë trofe si lojtar dhe europiani i tretë në histori, pas Kristian Rudzkit (Estudiantes 1969) dhe italianit Dante Mirkoli (Independiente 1972).

Një tifoze speciale e Flamengos gjatë finales. Gazeta Si, 24 nëntor 2019

Emocionet më të mëdha janë përjetuar në fundin e finales së Limës. Flamengo dhe River laujtën një ndeshje të shpejtë, siç ndodh rrallë në të tilla finale. Më mirë kanë bërë argjentinasit në një orë lojë, duke ndërtuar aksione të shpejta dhe depërtime në hapësira të ngushta. Një mekanizëm gati perfekt, i finalizuar me golin e Borré. Avantazhi i jep krahë Riverit, që për shumë minuta e asfikson kundërshtarin. Por e pabesueshmja ndodh në 30 minutat e fundit të ndeshjes. Gabigol shpërdoron një rast të pastër shënimi, ashtu siç bën edhe Prato tek argjentinasit, i sapo futur në lojë. Në minutën e parafundit të kohës së rregullt Gabigol barazon shifrat dhe në minutën e 2-të shtesë, pasi përfiton nga një çorientim i mbrojtjes së Riverit, ndëshkon sërish. Tifozët brazilianë, të shumtë në Lima, janë në delir, kurse tek argjentinasit zhgënjimi është shumë i madh.

“I zhdukur” për një orë nga markimi i Pinolës, Gabigol, një lojtar në pronësi të Interit, rrëmbeu skenën për 5 minuta, duke kaluar me sukses provimin më të rëndësishëm të pjekurisë. Ai ka shënuar 40 gola në 54 ndeshje këtë sezon, duke u shndërruar në idhullin e tifozëve të Flamengos.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë