Futboll

Champions/ Juventusi rrezikon Realin e Mourinjon, Levandovski në histori

Napoli i Hysajt dhe Interi mësojnë sot fatin e tyre në ndeshjet ndaj Liverpulit dhe Sllavias së Pragës, Atalanta e Gjimshitit, pas fitores së djeshme, shpreson mrekullinë në 90-minutëshin e fundit në grupe, ndërsa Juventusi mund të mendojë që tani për shortin, që hidhet më 16 dhjetor në Nion, pasi e ka të sigurt vendin e parë. Por rreziku për Juventusin nuk mungon, pasi goglat mund ta përplasin me Real Madridin, Totenhemin e ndoshta me Çelsin.

Situata në vazon e parë dhe vazon e dytë është e pak a shumë qartë. Real Madrid është një rrezik i madh për Juven, pasi madrilenët nuk janë kokë vazoje, pas barazimit 2-2 me PSG-në në “Santiago Bernabeu”. Reali, edhe kur është dukur dobët, ka arritur të shpallet kampion, siç ka ndodhur në vitet 2016, 2017 dhe 2018, ndërsa sezonin e kaluar u eliminua nga Ajaksi, ashtu si dhe Juventusi. Një rrezik tjetër për Juventusin mund të jetë Mourinjo dhe Totenhemi i tij, që gjithashtu bën pjesë në vazon e dytë. Mourinjo ka qenë gjithmonë problem për Juven, ku rasti i fundit është përplasja mes tyre kur portugezi drejtonte Mançester Junajtid. Kundërshtar i mundshëm i bardhezinjve mund të jetë edhe një mes Ajaksit, Çelsit dhe Valencias, që kanë shanse kualifikimi. Kundër holandezëve do të ishte mundësia për “hakmarrje”.

Levandovski feston 4 golat ndaj Crvena Zvezdës. Gazet Si, 27 nëntor 2019

Sulmuesi i Bajern Mynih, Robert Levandovski, ka hyrë në histori me 4 golat e shënuar ndaj Crvena Zvezdës në Serbi. Ai i realizoi të gjithë golat brenda 15 minutash dhe ky është “pokeri” i regjistruar brenda një kohe më të shkurtër në historinë e Champonsit. Bavarezët fituan 0-6.

Mbrëmjen e sotme luhen të tjera sfida interesante në Champions. Liverpuli pret Napolin e Hysajt dhe gjithçka është e hapur sa i takon vendit të parë në Grupin E, ashtu si dhe në Grupin F, ku Barcelona pret Borusia Dortmund, ndërsa Interi duhet të fitojë patjetër në Çeki ndaj Sllavias për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë