Kryedemokrati Lulzim Basha ka dhënë një mesazh solidarizimi në 107-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, një përvjetor i tmerrshëm për shqiptarët pasi u shkundën nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në një video-mesazh në “Facebook”, Basha shkruan se mendimet dhe lutjet tona janë me të lënduarit dhe me ata që përjetuan dhimbje të madhe nga kjo goditje e madhe.
Lideri demokrat ndër të tjera thotë se “me gjithë ndasitë tona, në orë nevoje ne jemi një komb i bashkuar, lidhur ngushtë nga të njëjtat vlera dhe nga e njëjta dhembshuri”.
“Mëngjesin e të martës, ndërkohë që shqiptarët përgatiteshin për të përkujtuar 107 vjetorin e Pavarësisë, një tërmet i tmerrshëm goditi vendin tonë. Ende nuk e dimë përmasën e plotë të dëmeve. Ajo që dimë deri tani është se me dhjetëra shqiptarë kanë humbur tragjikisht jetën nën rrënoja, qindra janë lënduar dhe shtëpitë e tyre janë shkatërruar. Mendimet dhe lutjet tona janë me të lënduarit, me ata që vuajnë dhe me familjet që përjetuan dhimbjen më të madhe, atë të humbjes së njerëzve të tyre të shtrenjtë.
Me gjithë ndasitë tona, në orë nevoje ne jemi një komb i bashkuar, lidhur ngushtë nga të njëjtat vlera dhe nga e njëjta dhembshuri. Kjo është Shqipëria e vërtetë! Shqipëria e njerëzve me zemër të madhe dhe me forcë të pashtershme.
Le ta nderojmë kujtimin e atyre që na mori kjo tragjedi duke qëndruar të bashkuar, të fortë dhe me dashuri për njëri-tjetrin. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, shkruan Basha në “Facebook”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje