Futboll

Interi dhe Napoli, ja kombinimet që i kualifikojnë në Champions

Skenari i Interit doli ashtu siç ishte parashikuar. Zikaltrit fituan 1-3 dje në Çeki ndaj Sllavias, ndërsa Borusia Dortmund u mund me të njëjtin rezultat në Spanjë nga Barcelona. Por nuk ka përfunduar, çështja e kualifikimit do të vendoset në ndeshjet e fundit në grup, nga kombinimi i rezultateve të tyre.

Interi, por edhe Napoli i Hysajt, mbajnë vendin e dytë në grupet përkatëse aktualisht. Kjo do të thotë se një fitore në ndeshjet e fundit do t’i çonte në fazën tjetër të Championsit. Napolit mund t’i bëjë punë edhe barazimi, por edhe Interit në një nga variantet e kombinimit të rezultateve të dy ndeshjeve të grupit.

Në Grupin F, Barcelona është e para me 11 pikë, Interi dhe Borusia Dortmund kanë nga 7 pikë, Sllavia Praga ka 2 pikë dhe është e eliminuar. Interi pret në “San Siro” Barcelonën, kurse Borusia luan në shtëpi me Sllavian e Pragës. Ajo që ka më shumë rëndësi për zikaltërit është se janë të favorizuar nga ndeshjet direkte: skuadra e Kontes ka fituar 2-0 në Itali dhe ka humbur 3-2 në Gjermani. Nëse të dyja skuadrat fitojnë në ndeshjet e fundit, kualifikohet Interi. Pra, nëse Borusia fiton, edhe Interit i duhet të mposhtë Barcelonën, në të kundërt shkon në Europa League. Po ashtu, pozitiv për Interin është fakti se Barcelona vjen në Milano e sigurt për vendin e parë.

Lovren dhe Van Dijk festojnë golin e barazimit ndaj Napolit. Gazeta Si, 28 nëntor 2019

Në Grupin E, Liverpuli kryeson me 10 pikë pas barazimit të djeshëm me Napolin, që është i dyti me 9 pikë, Salcburgu ka 7 pikë dhe Genku 1 pikë. Në xhiron e fundit në grupe Napoli pret Genkun, ndërsa Liverpuli shkon në Austri për t’u ndeshur me Salcburgun. Skuadra e Ançelotit është në avantazh në sfidat direkt si ndaj Salcburgut, ashtu edhe ndaj Liverpulit, pasi ka marrë 4 pikë nga 6 të mundshmet. Në këtë situatë, me një barazim Napoli shkon në fazën e 1/8-ve me 10 pikë. Një fitore e mundshme e bën Napolin të shpresojë për vendin e parë, mjafton që Liverpuli të mos mjaftojë në Austri. Varianti më i keq për ekipin e Elseid Hysajt është një humbje e mundshme me Genkun, por edhe kështu mund të kualifikohet, nëse Salcburgu nuk mposht Liverpulin.

Rezultatet e ndeshjeve të fundit në Champions. Gazeta Si, 28 nëntor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë