Futboll

Kupa e Amerikës 2020, hidhet shorti për ndarjen e dy grupeve

Gjatë natës së kaluar është ngritur sipari i edicionit të 47-të të Kupës së Amerikës, që luhet verën e ardhshme, në të njëjtën kohë me Europianin. Në ceremoninë e zhvilluar në Kolumbi, kanë marrë formë dy grupet me nga 6 skuadra që do të nisin fazën e parë. Është përcaktuar edhe kalendari i kompeticionit, që zgjat ekzaktësisht një muaj, nga data 12 qershor deri më 12 korrik.

Moment nga ceremonia e hedhjes së shortit. Gazeta Si, 4 dhjetor 2019

Para hedhjes së shortit për ndarjen e grupeve, është prezantuar maskoti i Kupës së Amerikës, i quajtur “Pibe” dhe që ka marrë 200 mijë pëlqime. Kupa e Amerikës e vitit të ardhshëm është edicioni i parë i përshtatur me kalendarin europian dhe ndoshta i fundit për Lionel Mesin, i cili do të jetë 33 vjeç. Argjentinasi që sapo ka fituar “Topin e Artë” do të ketë një tjetër shans për të fituar trofeun e parë me fanellën bardhekaltër, pasi ka humbur tri finale kontinentale dhe një finale Botërori, atë të 2014-s.

Turneu do të organizohet për herë të parë në dy shtete, në Argjentinë dhe në Kolumbi, me 9 qytete pritëse që janë: Buenos Aires, Mendoza, Kordoba, La Plata, Santiago del Estero, Medelin, Bogota, Barrankuila dhe Kali. Në short është vendosur që ndeshja inauguruese të jetë Argjentinë-Kili, më 12 qershor, në “Monumental” të Buenos Airesit, ndërsa finalja do të luhet më 12 korrik në Barrankuila.

Dy grupet e Kupës së Amerikës. Gazeta Si, 4 dhjetor 2019

Faza e parë e Kupës së Amerikës zhvillohet në dy grupe, me 12 skuadra pjesëmarrëse, mes tyre edhe Australia dhe Katari, që janë dy të ftuarit. Në Grupin A bëjnë pjesë Argjentina, Kili, Uruguai, Paraguai, Bolivia dhe Australia, kurse në Grupin B bëjnë pjesë Brazili, Kolumbia, Ekuadori, Venezuela, Peruja dhe Katari. Katër skuadrat e para të çdo grupi do të kalojnë në fazën tjetër të kompeticionit, atë me eliminim direkt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë