Liverpuli respekton parashikimet dhe kualifikohet për në finale të Botërorit të klubeve, pasi ka mundur jo pa vështirësi meksikanët e Monterreit me rezultatin 2-1. Për të kaluar më tej, skuadrës së Klop iu desh ndihma e Firminos, i cili u fut nga stoli dhe në minutën e parë shtesë shënoi golin e fitores, por edhe ndihma e portierit Alison, që u bë shpëtimtar ndaj gjuajtjeve të Pabon. Në finale anglezët i pret Flamengo, ekipi brazilian që u shpall kampion i Amerikës së Jugut.
Klop hodhi në fushë një formacion alternativ, ku Van Dijk nuk ishte i disponueshëm, ndërsa Firmino, Mane dhe Aleksander-Arnold u kursyen dhe u hodhën në fushë në fundin e ndeshjes. Liverpuli shënoi me Keita, por vetëm pas 3 minutash Funes Mori barazoi. Ekipi meksikan luajti një lojë mjaft kompakte dhe krijoi disa raste, duke e detyruar Alisonin të bënte disa pritje të jashtëzakonshme.
Pavarësisht kontrollit më të madh të topit nga Liverpuli, Monterrei ia doli ta nxirrte jashtë loje treshen sulmuese të Klopit, të përbërë nga Salah, Origi dhe Shaqiri. Klop u detyrua të hidhte në fushë Mane dhe Firmino. Ishte pikërisht ky i fundit që me një assist të Salah shënoi golin e fitores, duke “nxjerrë gështenjat nga zjarri” për trajnerin Klop.
Të shtunën luhet finalja e Botërorit të klubeve, ku Liverpuli përballet me Flamengon dhe ka një rast të mirë për të fituar një tjetër trofe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje