Socialistët do t’i drejtohen për herë të dytë komisionit të Venecias po për çështjen e presidentit Ilir Meta, për t’i kërkuar mendim nëse kreu i shtetit shkeli ose jo Kushtetutën me emërimin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, të Marsida Xhaferllarit. Kjo u votua në komisionin hetimor parlamentar ku pro ishin edhe deputetët e mazhorancës dhe të opozitës. Kërkesa për t’iu drejtua Venecias u paraqit fillimisht nga relatorja, socialistja Klotilda Bushka duke thënë se do t’i drejtohet ekspertëve ndërkombëtarë me pesë pyetje.
Fillimisht kryekomisonieri Manja shprehur disa vërejtje të tij në lidhje me formulimin e pyetjeve, duke lënë të nënkuptohet se ato mund të rishikohen. Kërkesa për t’ju drejtuar Venecias u votua edhe nga opozita, pavarësisht se kishin rezerva për këto zgjatje pa fund dhe se e majta po e përdor për qëllime politike. Mazhoranca në planin hetimor ka përfshirë gjithashtu edhe thirrjen për të dëshmuar edhe kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranin.
Deputeti Spartak Braho u shpreh dakord me propozimin e deputetes Bushka e cila kërkoi të mbahet seancë dëgjimore me kreun e KED-së, ndërsa i kujtoi komisionit se nuk ishin mbledhur për ti dhënë “paralajmërim me vëretje” për presidentin

.
“Jam dakord me shtesën e objektit të hetimit. Komisioni hetimor është mbledhur për të shkarkuar Presidentin dhe presidenti shkarkohet për shkelje të rëndë. Tek objekti i hetimit kanë shtuar 8 shkelje. Unë i gjykoj si shkelje, por nuk i gjykoj dot nëse janë shkelje të rënda apo të lehta. Ne nuk jemi mbledhur këtu për të dhënë vërejtje me paralajmërim, nëse ka shkelje të rënda duhet shkarkuar. Hetimi duhet të vazhdojë mbi bazën e kërkesave shtese që propozon zonja Bushka”, theksoi Braho. Kryekomisioneri Manja u shpreh se “është Gjykata Kushtetuese që vendos për natyrën e shkeljes, por ne sot kemi detyrimin të respektojmë vendimin”. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese mund të shihet edhe si një tejzgjatje pafund e procesit të hetimit dhe të vendimit të mazhorancës për shkarkimin e presidentit. Shtimi i objektit të hetimit, si për dekretin e anulimit të zgjedhjeve dhe të dekretit për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, shihet si një “harresë” për debatin për zgjedhjet lokale. Socialistët shpresojnë në ndonjë interpretim të Venecias që mund të fajësojnë Metën, pasi në raportin e parë konstatohej se Kuvendi mund të gjejë ndonjë mbështetje ligjore për ta shkarkuar presidentin.
Pas vendimit komisionit hetimor erdhi edhe reagimi i Presidencës nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi. “Veprimet e fundit të komisionit parlamentar janë qartazi marrje në mbrojtje nga përgjegjësitë penale të z.Dvorani, i cili është kallëzuar në Prokurori për veprimtarinë e tij të mirë dokumentuar kriminale. Ky “solidaritet” vërteton se krimet e z.Dvorani janë kryer në bashkëpunim. Dihet botërisht respekti që ka për Komisionin e Venecias ky grup i strukturuar dhe i specializuar për dhunimin e Kushtetutës. Ndaj veprimet e tyre fundit në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës nuk janë asgjë tjetër veçse një presion i qartë politik ndaj organit të akuzës”, deklaroi Blushi.
Sa i përket shtyrjes së afatit të komisionit parlamentar, Blushi thekson se ne e kemi dhënë mendimin tonë: “Punimet të shtyhen deri në 24 korrik 2022. Në këtë mënyrë deputetët e komisionit do kenë mundësi të përfitojnë akoma më shumë shpërblime financiare për çdo mbledhje”.
Pesë pyetjet që do t’i drejtohen Komisionit të Venecias për Metën
1-A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, kur ai apo ajo në konsiderohen të emëruar. Në këtë rast a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?
2-Emërimi i një gjyqtari Kushtetues, tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të emëruar të miratuar nga KED a e cenon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj, a ndikon kjo në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancinë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor? A bie ndesh kjo frymën e mekanizmave zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese ?
3-A është në përputhje me standardet më të mira zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin Kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet e emëruar ky gjyqtar?
4-Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim për të plotësuar kushtin e betimit për të filluar ushtrimin e detyrës në situatën kur konsiderohet i emëruar për efekt të ligjit?
5-Cilat mund të ishin zgjidhjet të standardeve më të mira për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin përkatës?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje