Ishte premtuar që të futej me procedurë të përshpejtuar në Parlament dhe se nga Amnistia do të përfitonin një e pjesë madhe e të dënuarve në prag të festave të fundvitit, por një gjë e tillë nuk mund të realizohet. Ministria e Drejtësisë e ka hartuar draftin dhe e ka dërguar në Këshillin e Ministrave, por qeveria e miratoi pikërisht në ditët e fundit të dhjetorit. Lajmin për miratimin e p/ligjit “Për dhënie amnistie” e ka dhënë vetë kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së kryesisë së PS, duke theksuar se pjesa më e madhe e përfituesve do të jenë gra. “Do të doja të kishte më shumë përfitues gra nga amnistia, por ka një debat të madh në lidhje me ato që kanë kryer vrasje të burrave, pra debati nuk është politik, por është juridik”, deklaroi kryeministri për mediat.
Ai shtoi se ka pasur debate mes ministrave për kriteret e përfituesve. “Unë do të kisha dashur shumë më shumë se kaq në raport me gratë, por jam në minorancë. Unë do të doja një amnisti totale për gratë tani është një debat i madh lidhur me gratë që kanë vrarë burrat dhe ky nuk është një debat politik, por është një debat juridik, shumë më i komplikuar se sa thjesht dëshira, apo qëllimi i mirë nga ana ime. Kemi pasur disa debate në fakt, por nuk është se nuk e mbështesin në kuptimin që gratë nuk duan gratë, por vrasjen e burrave nuk e shohin si një krim që mund të amnistohet me një të rënë të lapsit. E unë mendoj se kanë të drejtë nga pikëpamja ligjore dhe vijimësisë, por unë nuk i kisha hyrë thellësisht në këtë aspekt, por thjesht mendoja se mund të bëhet me e plotë. Por amnistia do të jetë e konsiderueshme për gratë, kjo nuk diskutohet, do të përfitojnë një pjesë e madhe tyre”, theksoi kryeministri.
Ndërsa qeveria pritet ta miratojë nismën e Amnistisë, pritet që drafti të kalojë në Parlament në mesin e muajit janar. Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca e parë e sesionit zhvillohet të hënën e tretë të janarit dhe sipas llogaritjeve i bie 20 janarit. Për t’u votuar në Parlament nisma kërkon një shumicë të cilësuar të votave, pra kërkon edhe konsensusin e opozitës. Në draft e siguruar më parë nga Gazeta “Si” parashikohej “dhënie amnistie personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi”.
Në këtë amnisti Ministria e Drejtësisë i ka kushtuar vëmendje edhe femrave të dënuar, duke vendosur që të lirohen kjo kategori që janë me burgim deri në tre vjet. “Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi”, thuhet në këtë amendament. Tashmë me variantin final të qeverisë duhet parë në afati i fundit ligjor i përfituesve do të jetë 30 shtatori, apo do të shtyhet më tej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje