Përballimi i pasojave të tërmetit të 26 nëntorit ka qenë arsyeja e vetme, që ka shtyrë Presidentin Ilir Meta që të dekretojë ligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Presidenti i Republikës Ilir Meta, për të mos penguar zbatimin e masave të menjëhershme që lidhen me riparimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, ka dekretuar pa vonesë ligjin “Për buxhetin e shtetit për vitin 2020”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Për pjesën tjetër të ligjit, Meta shfaq një seri rezervash, duke filluar me parashikimin për rritje ekonomike prej 4.1 për qind, që e vlerëson si joreal.
“Parashikimi i rritjes ekonomike në 4.1% për vitin 2020 mbetet jo realist, sepse nuk reflekton dobësitë e rritjes ekonomike për vitin 2019, si dhe efektin e shtuar nga dëmet dhe humbjet nga tërmeti. Efektet negative në ngadalësimin e rritjes ekonomike të vitit 2019, do të kenë pasoja, që do të transmetohen dhe gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2020”, thotë Meta.
Presidenti thotë gjithashtu se në buxhet nuk reflektohet progres në përmirësimin e politikës fiskale.
“Që aktualisht karakterizohet nga një barrë fiskale e lartë, sistem tatimor i fragmentuar, me përjashtime, si dhe një sistem me një baze tatimore shumë të ulet. Për më shumë, ndryshimet fiskale të propozuara zgjerojnë më tej përjashtimet si dhe diferencimin e normave tatimore”, vijon ai.
Meta thotë se projektbuxheti nuk parashikon rritje të investimeve publike dhe as të pensioneve dhe rrogave, që sipas tij do të nxisnin konsumin.
“Investimet publike në përqindje të PBB-së në vitin 2020 janë më të ulta se në vitin 2018 dhe në vitin 2019, si dhe nuk parashikohet rritje të pagave dhe rritjes reale të pensioneve dhe të pagesave të tjera”, vlerëon ai.
Presidenti thotë se buxheti nuk reflekton as shqetësimet e ngritura nga institucionet arsimore, duke mos rritur buxhetin për arsimin dhe nuk rrit as autonominë e pushtetit vendor.
Presidenti thekson se projeket sipas partneritetit publik-privat, Koorporata e Investimeve dhe sektori i energjisë janë rreziqe të shtuara fiskale.
“Një rrezik të shtuar fiskal për shpenzimet publike për vitin buxhetor 2020 paraqet rritja e vlerës së projekteve të PPP ekzistuese dhe numrit të projekteve të reja, i rrezikut të injektimit të kapitalit për Koorporatën e Investimeve, i financimit të humbjeve të sektorit të energjisë, si dhe rritja e kostos së borxhit publik”, deklaron Presidenca.
Kjo, sipas Ilir Metës mund të çojë në rritje të borxhit publik.
“Një rrezik potencial është dhe vetë rritja e stokut të borxhit publik për shkak të rritjes së kostos së tij, si dhe përfshirjes së plotë në llogaritje e detyrimeve të prapambetura ndaj kontraktorëve privatë për punimet e kryera, nga mosrimbursimi i TVSH, nga detyrimi i tepricës kreditore nga tatim fitimi, të vendimeve gjyqësore vendore dhe ndërkombetare, si dhe borxhit ndaj pushtetit vendor”, vijon Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje