Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu deklaron se ekonomia shqiptare është drejt një stanjacion të frikshëm që rëndohet në mënyrë katastrofike nga koncensionet. Sipas tij, në vitin 2020 pagesat për koncensionet do të rriten me 16% krahasuar me një vit më parë, ndërsa ato nuk ndalen edhe pse Shqipëria po përballet me një situatë katastrofike pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
“Kësaj situate të rëndë i shtohet raporti mjaft negativ i Doing Business, ku Shqipëria rënditet në vendet e fundit në rajon. Për shkak të rilindjes, indeksi i perceptimit të korrupsionit e rëndit Shqipërinë ndër 3 qeveritë më të korruptuara të botës. Kjo situatë shumë e rëndë ekonomike ka çuar në largimin masiv të shqiptarëve nga vendi, sidomos i rinisë, për pasojë mungese të theksuar të njerëzve të aftë për punë si dhe ulje në nivele shqetësuese të të ardhurave kryesisht ato nga TVSH, si tregues kryesor i rënies së konsumit”, theksoi Spahiu.
Për përfaqësuesin e LSI-së, janë rreth 64 miliardë lekë detyrime të fshehta dhe situata tepër e rëndë bën të pamundur uljen e borxhit publik në nivelet mashtruese që propogandon qeveria me 62%. Borxhi real është 80%.
“Edhe në buxhetin e vitit 2020, nuk do të ketë indeksim të pagave, ndërsa do të vazhdojë me atë që di të bëjë më mirë, rritje taksash si të qeverisë, por dhe ato vendore. Kujtoj rritjen e fundit të taksave në Bashkinë e Tiranës. Qeveria po bën gjithçka të tregojë një tablo mashtruese të buxhetit, po fsheh borxhet reale, paaftësinë totale për të vënë fre mbi evazionin fiskal për shkak të korrupsionit galopant, ndërsa koncensionet korruptive dhe abuzive po groposin ekonominë drejt një gremine që nuk i dihet fundi”, thekson Spahiu. Për LSI-në zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme për të përballuar situatën ekonomike, ku opozita ka një platformë për lehtësim taksash ndaj biznesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje