Futboll

Ikardi i rilindur në Paris, për në qershor ka zgjedhur Juventusin

“Për të ardhmen do të flasim në fund të sezonit, por do të isha i lumtur, nëse do të qëndroja te PSG-ja”. Janë fjalë të Mauro Ikardit pas tripletës në fitotren 6-1 ndaj Saint Etien në Kupën e Francës. Megjithatë, “La Repubblica” në Itali zbulon një skenar tjetër: ish-kapiteni i Interit dëshiron të kthehet në Serinë A për të luajtur me fanellën e Juventusit. Ishte shumë pranë kësaj fanelle në verë, por lëvizja nuk u krye dhe argjentinasi shkoi në Paris.

Sulmuesi dhe bashkëshortja-agjente e tij, Uanda Nara, po përgatisin terrenin për veshjen e Ikardit bardhezi, sapo t’i përfundojë huazimi te PSG-ja, duke lënë mënjanë blerjen e kartonit nga klubi francez, e fiksuar në shumën e 70 milionë eurove. Me PSG-në Ikardi ka rilindur, ka rigjetur venën e “bomberit”. Në 19 ndeshje mes kampionatit dhe kupave, ka shënuar 17 gola. “Viti 2020 ka nisur mirë për mua dhe skuadrën. Raporti mes meje, Kavanit, Nejmarit dhe Mbapesë është shumë i mirë. Mund të bëjmë diferencën në çdo moment, jemi një skuadër e vërtetë”, – ka thënë futbollisti argjentinas.

Mauro Ikardi. Gazeta Si, 9 janar 2020

Ikardi po shijon momentin pranë kullës Eifel, por dëshira e tij, përkundër deklaratave publike, është që të bëhet protagonist në kampionatin italian, duke u kthyer të jetojë në Milano, ku janë bashkëshortja dhe 5 fëmijët. Në Milano vetëm për të jetuar, sepse tek Interi nuk ka dhe nuk do të ketë një vend për të. Sulmuesi argjentinas është i vendosur për t’iu bashkuar Juventusin, nuk e ka braktisur kurrë idenë për t’u veshur bardhezi. Nga ana tjetër, Juventusi vërtet ka emra të frikshëm në sulm si Kristiano Ronaldo, Dibala dhe Higuain, por Ikardi asnjëherë nuk ka dalë nga moda.

Gjithçka lidhet me moshën e lojtarëve që bardhezinjtë kanë në repartin e avancuar. Ronaldo mbush 35 vjeç në shkurt, Higuain mbushi 32 në dhjetor. “Mauro ikën nga PSG-ja në fund të sezonit? Vendimi i takon atij, – ka deklaruar një ditë më parë Uanda Nara. Në Francë po bën shumë mirë dhe jam shumë e lumtur. Të shohim çfarë do të ndodhë”. Në fakt, Mauro e ka vendosur çfarë do të bëjë dhe tani mbetet që të ulet për të biseduar me Interin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë