Ne rrjet

Shqipëria pranë hapjes së negociatave?

Media gjermane “Deutsche Welle” shkruan sot se mundësitë që Shqipëria të marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian janë rritur. Sipas saj, sinjale pozitive për rrugën e anëtarësimin në unionin europian po vijnë këtë fillim viti nga Franca, por edhe Komisioni i ri Europian. Vendimi ka të ngjarë të merret gjatë Samitit të Zagrebit, i cili do të mbahet me 6-7 maj, i konsideruar si ngjarja më e rëndësishme e Presidencës kroate, që ka nisur punën me moton, “Një Europë e fortë, në një botë sfidash”.

Që Franca po rishikon qëndrimin e saj për hapjen e negociatave e bëri publike edhe Presidenti Macron, në takimin e tij në Paris me kryeministrin kroat Andrej Plenkovic, ku deklaroi se “Franca uron që Samiti i Zagrebit të jetë një moment uniteti dhe një sukses për Europën”. Në rastin konkret, uniteti dhe suksesi do të realizohen nëse Samiti i Zagrebit ia del mbanë t’u japë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, një datë për hapjen e negociatave të pranimit.

Gledis Gjipali, Drejtor i “European Movement Albania”, me seli në Tiranë, thotë për DW se deklarata e Presidentit Macron nënkupton arritjen e një konsensusi të gjitha vendeve anëtare të BE për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kemi një fleksibilitet në rritje të Presidentit Macron kundrejt vendimit të tij të prerë në tetorin e kaluar, kur bllokoi procesin e zgjerimit deri në reformimin e metodologjisë së procesit të zgjerimit. Deklarata e tij për një samit të suksesshëm uniteti nënkupton vullnetin e Francës për të zgjidhur ngërçin e zgjerimit”, thotë Gledis Gjipali.

Ursula Von Der Leyen dhe kancelarja Angela Merkel. Gazeta Si, 2020

Deklarata pozitive e Presidentit Macron për rishikimin e qëndrimit të Francës u shoqërua me vlerësimin për ndryshimet e pritshme në metodologjinë e procesit të negociatave. Ai i quajti ato “një parakusht për hapjen e negociatave me vendet kandidate” edhe pse ndryshimet e propozuara nga Franca janë pritur ftohtë nga një numër i konsiderueshëm vendesh anëtare të BE.

Në një propozim drejtuar Komisionit Europin, (KE), në mes të dhjetorit të kaluar, 9 vende anëtare të BE – Austria, Çekia, Estonia, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia dhe Sllovenia i propozojnë KE që “ndryshimet në metodologjinë e procesit të zgjerimit të mos ndikojnë në vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Propozimi alternativ i 9 vendeve anëtare të BE është një kundërpërgjigje ndaj atij francez që vendos reformimin e metodologjisë së procesit të zgjerimit, para marrjes së vendimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në këto kushte, hapja e negociatave shihet si e vetmja rrugë është arritja e një kompromisi. Europa është e bazuar mbi kompromisin” thotë Gledis Gjipali.

Shpresat për arritjen e kompromisit në favor të hapjes së negociatave me Tiranën dhe Shkupin morën një hov të madh të premten kur Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, deklaroi në Zagreb, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin kroat, Andrej Plenković se BE-ja duhet te mbajë premtimet. “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kriteret që u kemi kërkuar për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE. Qëllimi është të sigurojmë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut se dera është e hapur dhe ato mund të fillojnë bisedimet e anëtarësimit” theksoi ajo.

Presodenti francez Emmauel Macron. Gazeta Si, 202

DW thotë se Presidentja e KE-së ka propozuar që ndryshimi i metodologjisë së negociatave të anëtarësimit dhe hapja e negociatave të shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën.

Ajo tha gjithashtu se do të propozojë ndryshime “në fillim të vitit” të mënyrës sesi BE skanon vendet që aspirojnë anëtarësimin. Në tetorin e kaluar Franca bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të bërë të mundur sipas saj “një shqyrtim të kujdesshëm të zbatimit të ligjit” në të dyja vendet.

Entela Komnino, gazetare që trajton ҫështjet e integrimit europian të Shqipërisë, mendon se deklaratat e fundit të Presidentes së KE flasin për një situatë që po ndryshon në favor të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Këto deklarata tregojnë që kompromisi është në rrugë e sipër ose është arritur tanimë. Macron ka marrë atë që kërkoi nga vendet anëtare: rënien dakort për reformimin e metodologjisë së procesit të negociatave. Dhe tani vendet anëtare kërkojnë të pranohet ‘po’-ja e tyre për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe MV”, thotë Komnino.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë