Politike

Parlamenti jashtë loje dhe afati 15 mars, si paralajmërim për zgjedhje të parakohshme

Rudina Hajdari e pranishme në tryezën e 14 janarit e mbajtur disa metra larg Parlamentit, nuk pranoi të firmoste konkluzionet e këtij takimi, e sot mblodhi grupin parlamentar të diskutuar mbi qëndrimin që ka mbajtur, si dhe për aksionin politik. Grupimi i opozitës parlamentare tashmë duket si nxjerrë jashtë loje, pasi dy të mëdhenjve PS dhe PD kanë arritur një marrëveshje, duke e bërë si faktor edhe LSI-në. Ndryshe nga tre vite më parë, Basha preferoi të ulte në tryezë LSI-në që e sheh si aleatin kryesor dhe në ardhjen në pushtet me anë të zgjedhjeve.
Hajdari nuk preferoi që të fliste pas mbledhjes së deputetëve të opozitës, duke nënkuptuar se grupi nuk ka qenë në unision. “Ne jemi dakord ndaj çdo marrëveshje kur kjo është në të mirë të qytetarëve dhe brenda institucioneve. Nëse e shikon dokumentin, dy partitë kryesore kanë shmangur tagrin kryesor që është ndryshimi i sistemit”, tha deputeti Korab Lita. Ai thekson se marrëveshja është dakordësuar në minutat e fundit dhe kjo është arsyeja që sipas tij, deputetja Hajdari nuk e firmosi dokumentin. Por tashmë opozita parlamentare e ka kushtin e vendosur të sajin: që reforma të mos shmangë institucionet dhe që të realizohet ndryshimi i sistemit.
Opozitarët në Parlament shprehen janë unikë në qëndrimin e tyre, por se kjo duhet parë, pasi praktikat kanë treguar se ato që kanë qenë të përçarë në votimet e projektligjeve të qeverisë, apo të nismave të debatueshme.

Marreveshja e firmosur me 14 janar. Gazeta “Si”, janar 2020


Por paktit të firmosur, deputetët e opozitës do t’i bëhen pjesë, duke nënkuptuar se do të jenë pjesë e Këshillit Politik. Sipas burimeve ky këshill do të mblidhet sërish brenda javës për të diskutuar mbi hapat e mëtejshëm që do të ndiqen. Është pikërisht kjo strukturë e re politike që nxjerr jashtë loje Parlamentin, duke e kthyer në një noter, por mbi gjitha edhe komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.
Tashmë këto institucione janë kthyer në një noter të thjeshtë, ku deputetët pritet të ngrenë dorën për të kaluar paketën që do të hartohet jashtë institucioneve. Zhvlerësimi i Parlamentit duket qartë në pikën e fundit të marrëveshjes, ku theksohet se teksti i miratuar me konsensus nga Këshilli Politik, pra nga tryeza, do të miratohet pa ndryshime nga shumica e majtë në Parlament. PD dhe LSI, që nuk i kanë votat në Parlament i vendosin kushte deputetëve që t’i kalojnë pa asnjë ndryshim edhe në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, si dhe në seancë, duke i zbatuar formalisht procedurat parlamentare.
Por pakti i ri për reformën ka vendosur edhe një kusht tjetër ndaj Parlamentit, që reforma të realizohet brenda 15 marsit. Një datë shihet si “djallëzore” e që lidhet me afatet që parashikon Kodi Zgjedhor dhe jo se ka të bëjë me plotësimin e 9 kushteve të vendosura nga ana e Bundestagut gjerman. “Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor. Bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet e parashikuara në pikat 3, 4, 5 dhe 6 të nenit 9 të këtij Kodi”, thuhet në nenin 8 të Kodit Zgjedhor. Ky kusht duket se është paraqitur nga PD-ja, e cila parashikon që me miratimin e reformës zgjedhore, vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, edhe pse PS-ja ka qenë kundër mbajtjes së tyre. Kështu me miratimin e Kodit Zgjedhor, nëse palët vendosin për zgjedhjet e parakohshme, atëherë mund të vendoset që ato të bëhen brenda 30 qershorit, apo të lihen për në nëntor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë