Politike

Basha: Nëse Rama s'mban fjalën për paktin, u rikthehemi protestave

Lulzim Basha nuk i beson Edi Ramës dhe si garanci që marrëveshja e arritur së fundmi për reformën zgjedhor janë qytetarët dhe faktori ndërkombëtar. Basha e paralajmëroi rivalin e tij politik se çdo përpjekje për të zvarritur dhe sabotuar marrëveshjen do të ketë përballë qytetarët duke nënkuptuar protesta.

“Garancia e vetme janë qytetarët e këtij vendi. Nëse ata vendosin të ulin kokën dhe të qëndrojnë në mëshirën e kësaj bande. Vendi sot ka një opozitë mazhorancë numerike dhe ne do ta bëjmë këtë mazhorancë reale politike. Çdo përpjekje për ta zvarritur dhe sabotuar këtë proces, do të ketë një reagim të qytetarëve dhe të ndërkombëtarëve”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike në një konferencë për shtyp këtë të mërkurë.

Vetë Basha doli garant se procesi i nisur në tryezë me socialistët ka për qëllim rikthimin e votës së lirë.

“Garantoj demokratët, mbështetësit e opozitës së bashkuar, socialistët e zhgënjyer, se procesi ka vetëm një qëllim, të kthejë lirinë e votës dhe mundësinë që çdo shqiptar të vendosë për qeverinë. Beteja nuk bëhet për karriget tona”, vijoi ai.

Basha iu përgjigj zërave kritikë që e lidhin marrëveshjen me gjyqin ndaj tij për çështjen e lobimit në SHBA dhe që akuzojnë se me këtë marrëveshje PD “rehabilitoi” Damian Gjiknurin.

“Kritikët që e lidhin takimin me gjyqin janë miq të Edi Ramës, ndaj nuk meritojnë asnjë përgjigje. Teza që u legjitimua Damian Gjiknuri është tezë e propagandës së Edi Ramës e shpërndarë nga mercenarë dhe renegatë të tij. Nuk ka amnisti, as për Damian Gjiknurin, as për Imer Lalën, as Vangjush Dakon, as për Avdylajt. Dërgimi i tyre para drejtësisë është prioritet i PD. Por, duhet të keni parasysh që këta janë të gjithë ushtarë të Edi Ramës”, tha Basha.

Kreu i PD-së nuk ndjehet i detyruar në uljen në tryezë, por detyrimin e pason tek mazhoranca për shkak të presionit ndërkombëtar.

“Prej dhjetorit, ndërkombëtarët kanë ushtruar presion ndaj mazhorancës. Detyra jonë ishte për të parashtruar tre kushtet dhe nëse takimi do të zhvillohej dje apo jo, këtë nuk mund ta themi dot për shkak të përpjekjeve për ta zvarritur”, u shpreh Basha.

Fitoren e opozitës në këtë marrëveshje e sheh tek vendosja e tre kushteve.

“Reforma Zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e dalë me votat e blera dhe pseudo-opozita e blerë me paratë e krimit dhe të oligarkisë. Vendimet për reformën zgjedhore do të merren me konsensus midis dy palëve- opozitës së bashkuar dhe parlamentit monist, plus patericat e veta. Parlamenti vetëm do të noterizojë formalisht marrëveshjet e tryezës politike, nga e cila vendimet do të dalin me konsensus”, shpjegoi ai.

Ai kundërshtoi me forcë krahasimet paktit aktual me marrëveshjen e 17 majit të 2017-ës.

“Nuk shoh asnjë paralele mes të dyjave. E para dështoi sepse shitblerja e votave ishte bërë realitet, ndërsa njëra palë firmosi në kushtet e mashtrimit, për t’i hedhur hy syve palës tjetër. E dyta kemi rekomandime të OSBE, kemi kushtin e Bundestagut dhe vendosmërinë e opozitës”, thotë ai.

Për kategorinë e mosbesuesve dhe të atyre që kanë humbur shpresën tek ndryshimi, mesazhi i përcjellë nga kryedemokrati ishte me dy rrugëzgjidhje.

“Në këto 7 vite nuk kanë qenë kaq të qarta, kaq të grupuara dhe vendosura synimet e opozitës së bashkuaar dhe aleatëve tanë. Mund të kemi mendime dhe nuanca mendimesh të ndryshme, por dy zgjidhje kemi: bardhë dhe zi. Të vazhdojmë në këtë rrugë, në rrugën e dështimit total, të përkeqësimit ekonomik, pafuqisë para një grushti njerëzish që kanë marrë peng Shqipërinë, apo të përdorim gjithë fuqinë e mendjeve dhe zemrave tona për t’u dhënë shqiptarëve një realitet europian ekonomik, social e politik?!”, u shpreh ai.

Basha lë të hapur derën e Partisë Demokratike për propozimet e shoqërisë civile për reformën zgjedhore, përfshirë këtu edhe për ndryshimin e sistemit, kërkesë që Nisma Thurja e ka dorëzuar në Kuvend.

“Do të krijojmë hapësirat në këshillin politik për të diskutuar, përfshirë edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor”, premtoi kreu i PD-së.

Gjithsesi, marrëveshja nuk nënkupton se opozita ka hequr dorë nga kërkesa për zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën Kryeministër, ndërsa tha se nuk ka një konsensus për zgjedhje të parakohshme, por ato mbeten objektiv i opozitës.

“Me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet në pranverë dhe vjeshtë nuk është pjesë e konsensusit, por është objektiv kombëtar i opozitës së bashkuar”, deklaroi ai.

Por çfarë fitoi opozita që nga djegia e mandateve u rikthye sërish në tavolinë me të njëjtën shumicë?

“Pa aksionin e 16 shkurtit dhe atë që pasoi, sot do të pikturohej një Shqipëri pa probleme, pavarësisht se ekonomikisht dhe shoqërisht vendi është në krizën më të thellë, sepse ka Qeverinë më të dështuar në 30 vite. Ja dolëm që ta grisnim perden e propagandës së shtrenjtë qeveritare dhe t’i tregonim botës mbarë nevojën akute për ndryshim”, u përgjigj Basha.

Një detaj që u vu re në këtë konferencë për mediat të kreut të PD-së ishte se në krah të tij qëndronin bashkëpunëtorët më të afërt të partisë, përfshirë edhe Arben Ristanin, për të përçuar mesazhin se për marrëveshjen e arritur me socialistët për reformën zgjedhore janë të bashkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë