Politike

Venecia pranon kërkesën e Metës për anëtarët e Kushtetueses

Komisioni i Venecias njofton se ka pranuar kërkesën e paraqitur nga presidenti Meta për të shqyrtuar mënyrën e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti. “Komisioni i Venecias, ka konfirmuar zyrtarisht se ka pranuar kërkesën e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për dhënien e një opinioni për veprimtarinë antikushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetarit të KED-së, Ardian Dvorani në procesin e emërimit të dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji”, pohuan burimet pranë Presidencës. Mësohet gjithashtu se Komisioni i Venecias do t’i bashkojë të dyja çështjet njëherësh, si kërkesën e Parlamentit, ashtu edhe atë të presidentit Meta për atë që lidhen me procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi me anë të një shkrese zyrtare i kërkon Venecias që të marrë një opinion nëse presidenti Meta shkeli ligjin dhe Kushtetutën në lidhje me emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës. Socialistët janë të bindur se kreu i shtetit shkeli Kushtetutën, pasi dekreti u firmos pas afatit 30 ditor. Për këtë akuzë të re , mazhoranca e ka përfshirë aktin e presidentit edhe si pjesë e hetimit në komisionit të posaçëm parlamentar për shkarkimin e presidentit. Ndërsa kërkesa e Metës në adresë të Venecias lidhet me procedurat që ndoqi Parlamenti për zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës, të Elsta Toskës dhe Fjona Papajorgjit. Gjithashtu presidenti në kërkesën e drejtuar Venecias ka bërë edhe një ekspoze të situatës dhe të përplasjeve me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi sa i përket emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Në rastet kur qeveria dhe parlamenti janë një, dhe kur Presidenti është i vetmi aktor institucional jashtë tutorialit të qeverisë: A përbën zgjerimi i objektit hetimor për shkelje të pretenduar të ligjit (dhe jo të Kushtetutës) rritje të rrezikut eminent për të emëruar politikisht anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë vetëm nga një parti, pra vetëm nga një aktor politik? A përbën kjo sjellje e Kuvendit tejkalim të kompetencave kushtetuese parlamentare që lidhen me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?”, janë disa nga pyetjet e kreut të shtetit në adresë të Venecias.

Presidenti fokusohet në kërkesën e tij edhe te fakti i zgjerimit të hetimit të komisionit hetimor, duke kërkuar që Venecia të japë mendim dhe nëse kjo është shkelje kushtetuese ose jo. “A e vendos zgjerimi i paligjshëm i objektit të Komisionit Hetimor Parlamentar , Presidentin nën presion politik, që të emërojë në Gjykatën Kushtetuese kandidatët e preferuar nga partia në pushtet?”, është nga pyetjet e tjera  e Metës.

Komisioni i Venecias ka bërë të ditur se me 13 dhe 14 shkurt do të dërgojë një delegacion të ekspertëve në Tiranë ku do të zhvillojnë takime me përfaqësuesit e Parlamentit, anëtarët e komisionit hetimor, presidentin dhe udhëheqësit e partive politike.

Në mars pritet që Venecia të nxjerrë edhe opinion përfundimtar në lidhje më këtë përplasje institucionale mes Parlamentit dhe Presidentit për çështjet e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë