Politike

Kim me kryeprokurorin: Përmbushni premtimin për drejtësinë

“Prokurorët duhet të mbajnë premtimin për një drejtësi të pavarur”. Ky mësohet se ka qenë mesazhi i dhënë nga ana e ambasadorja e re e SHBA-ve, Yuri Kim gjatë takimit të zhvilluar me kryeprokurorin Olsjan Çela. Lufta kundër krimit të organizuar, nevoja për gjyqësor të pavarur kanë qenë në fokusin e bisedimeve të ambasadores së re amerikane me kryeprokurorin Osjan Çela.

“Gjatë takimit të tyre të parë sot, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim e uroi Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela për zgjedhjen e tij së fundi në detyrën e re dhe premtoi ndihmë teknike të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar Shqipërinë në vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi. Ambasadorja Kim nxiti prokurorët që, ndërsa përmbushin premtimin e një gjyqësori të pavarur me drejtësi për të gjithë, t’i përqasen punës me mendësinë e shërbimit publik, integritetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e ambasadës në rrjetet sociale.

https://www.facebook.com/usembassytirana/photos/pcb.10157025201030838/10157025198170838/?type=3&theater

Shtetet e Bashkuara do të vijojnë mbështetjen ndaj institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky duket se ka qenë mesazhi i tjetër i dhënë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e ambasadores së re amerikane Yuri Kim gjatë takimeve që pati sot me drejtuesit e institucioneve shqiptare që kanë si detyrë ruajtjen e rendit e të sigurisë, si dhe goditjen e krimit të organizuar. Ambasadorja amerikane veçe Prokurorit të Përgjithshëm, Olsjan Çela u takua edhe me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Yuri Kim duke dalë nga prokuroria e Përgjithshme pas takimit me kryeprokurorin Çela

“Me kënaqësi prita dhe takova sot Ambasadoren e re të SHBA në Shqipëri, Yuri Kim. Ndamë vlerësime të njëjta për nevojën e një faze të re në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, për rolin e pazëvendësueshëm të Policisë së Shtetit për suksesin e reformës në drejtësi, për projekte të reja bashkëpunimi me SHBA, për thellim të partneritetit mes institucioneve të sigurisë nga të dyja vendet dhe për çështje të tjera me rëndësi. SHBA vijojnë të jenë partneri ynë i madh strategjik, përherë në krah dhe në mbështetje të përparimit të gjithanshëm të vendit tonë”, shkruan Lleshaj në një postim në rrjetet sociale.

https://www.facebook.com/usembassytirana/photos/pcb.10157024971520838/10157025208770838/?type=3&theater

“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Ministrin e Brendshëm Sander Lleshaj. Gjatë takimit, Ambasadorja Kim rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në përpjekjet e tyre për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në postim në rrjetet sociale.

Një ditë më parë ambasadorja amerikane pati takime intensive me ministrat e tjerë të qeverisë, me Olta Xhaçkën e Mbrojtjes, Etilda Gjonajn të Drejtësisë dhe Gent Cakajn, ministër i Jashtëm në detyrë. Me anë të një postim në rrjetet sociale ambasada e SHBA bën të ditur se ambasadorja Kim rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë amerikane për mbështetjen e reformës në drejtësi.

“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara zhvilloi sot takime prezantuese me Ministrin në Detyrë të Punëve Europiane dhe të Jashtme Gent Cakaj, Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Gjatë takimeve, Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e Shqipërisë si një aleate e NATO-s dhe mbështetjen e saj të rëndësishme në misionet tona të përbashkëta. Ambasadorja gjithashtu rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara në ndihmë teknike për zbatimin e reformës në drejtësi dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, thuhet në postimin në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë