Ka përfunduar aventura kuqezi e Susos, kuptohet jo në mënyrën më të mirë, pasi sulmuesi anësor ka qëndruar në stol javët e fundit. Spanjolli do të luajë për Seviljen në vazhdim, pas më shumë se 4 vitesh te Milani, ku numëron 153 ndeshje dhe 24 gola. Ai ka qenë gjithmonë një pikë referimi për kuqezinjtë, madje trajnerin Xhampaolo në fillim të sezonit e quajti një lojtar klasi, por kohët e fundit Suso ka pasur rënie.
Me ardhjen e Zllatan Ibrahimoviçit, moduli i lojës së Milanit u kthye nga 4-3-3 në 4-4-2 dhe Suso mbeti jashtë formacionit. Tashmë pritet të zyrtarizohet si lojtar i Seviljes. Akordi mes klubeve është për huazim me të drejtë blerje në fund të sezonit, nëse skuadra spanjolle kualifikohet për në Champions League. Në këtë rast, Milani arkëton 22 milionë euro.

Një tjetër lojtar i Serisë A që do të luajë në Spanjë, sipas të gjitha gjasave, është Alesandro Florenci, një hap larg Valencias. Kapiteni i Romës gjithashtu do të huazohet, sepse klubet nuk kanë rënë dakord për blerjen përfundimtare të kartonit të lojtarit. Florenci ka bërë gati valixhet dhe pritet të përshëndesë shokët e skuadrës për t’u nisur në mbrëmje drejt Spanjës. Ai e konsideron të mbyllur raportin me Romën, ka nevojë të luajë për të mos humbur Europianin dhe Valencia është alternativa më e mirë për të.
Valencia do t’i paguajë Florencit pagën deri në fund të sezonit, rreth 2 milionë euro, më pas do të vendoset për të ardhmen. Edhe nëse spanjollët nuk e blejnë kartonin e futbollistit italian, ai nuk do të kthehet te Roma. Kapiteni verdhekuq gjykon se ka bërë zgjedhjen më të mirë për veten dhe Romën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje