Futboll

Partizani shpërfytyrohet dhe në Kupë, talentet e Tiranës përmbysin Kastriotin

Kriza e Partizanit vazhdon edhe në Kupën e Shqipërisë, ku të kuqtë janë mundur 3-0 nga Besëlidhja. Një ndeshje tjetër për t’u harruar për skuadrën e italianit Sormani, që pësoi çuditshëm 3 gola që në pjesën e parë dhe më pas, edhe pas lëvizjeve nga stoli, nuk ka mundur të shënojë qoftë edhe një gol për të lehtësuar punën për ndeshjen e kthimit. Partizani është i përfshirë në një krizë, që duket se nuk ka të bëjë vetëm me fushën e blertë. Në 7 ndeshjet e fundit, kampionat dhe Kupë, ka 6 humbje dhe ky është një tregues i qartë se ekuilibrat janë prishur për kampionat në fuqi.

Tirana u gjend në disavantazh ndaj Kastriotit, por përmbysi gjithçka në pjesën e dytë me golat e talenteve Ismailgeci dhe Muçi, ky i fundit me një dygolësh. Skënderbeu mundi lehtë Besën, 0-2, po ashtu edhe Teuta kaloi pa probleme Erzenin në Shijak, 1-3. Kukësi mundi Lushnjën 0-1, me gol të Maliqit. Interesant është barazimi i Flamurtarit në Shkodër, 2-2, duke e lënë kualifikimin të hapur për ndeshjen e kthimit.

Muçi dhe Ismailgeci festojnë golat ndaj Kastriotit. Gazeta Si, 29 janar 2020

Apolonia mund të quhet surpriza e fazës së 1/8-ve, pasi ka mundur 3-0 Luftëtarin e Superiores dhe është shumë pranë kalimit në çerekfinale, edhe pse janë edhe 90 minuta për t’u luajtur. Bylis-Laçi luhet nesër.

Kupa Shqipërisë, 1/8
Sot
Apolonia-Luftëtari 3-0
Besa-Skënderbeu 0-2
Besëlidhja-Partizani 3-0
Erzeni-Teuta 1-3
Kastrioti-Tirana 1-3
Lushnja-Kukësi 0-1
Vllaznia-Flamurtari 2-2
Nesër
Bylis-Laçi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë