Politike

Kushtetuesja gjykon 30 qershorin, opozita shpreson për zgjedhje të reja

Pranimi i kërkesës së Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar vlefshmërinë juridike të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit i ka ndezur shpresat opozitës për zgjedhje të parakohshme. Kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si një lajm të mirë dhe se shpreson që ajo “të rrëzojë zgjedhjet farsë të 30 qershorit”.
“Është një lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe për bashkëqytetarët shkodranë, të cilët më 30 qershor 2019, braktisën masivisht marrëzinë e votimeve farsë”, deklaroi Ademi. Sipas saj, e rëndësishme është që Gjykata Kushtetuese të japë sa më shpejt një vendim në lidhje me kërkesën e paraqitur për vlerësimin ligjore të zgjedhjeve. Ndërsa përsa i përket besimit për një vendim të drejtë në momentin kur Gjykata Kushtetuese të jetë e plotë me të gjithë anëtarët e saj, Ademi deklaron se kjo varet edhe nga vullneti politik për të përzgjedhur anëtarë me integritet dhe të paanshëm në këtë institucion që është më i rëndësishmi.
Përveç kërkesës për vlefshmërinë juridike të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, kryebashkiakja shprehet se në 23 faqet e ankimimit ka edhe disa argumente të tjera të depozituara në Gjykatën Kushtetuese. Një argument tjetër është edhe pretendimi se “Bindja Demokratike” e Astrit Patozit u regjistrua përtej afateve ligjore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe se edhe kjo e bënte procesin zgjedhor të pavlerë. Pretendimi tjetër është dhe fakti që pothuajse në gjysmën e bashkive nuk pati alternativë, por u votua vetëm për një kandidat.
Ademi bëri të ditur se në momentin e shqyrtimit të kësaj çështjeje, bashkë me avokatët mbrojtës është e gatshme që të paraqesë edhe argumente shtesë për të vërtetuar se përse këto zgjedhje duhet të shpallen antikushtetuese.
Kolegji prej 3 anëtarësh pranoi që ta kalojë në seancë kërkesën e paraqitur në korrik të vitit të shkuar në emër të Shoqatës së Bashkive për vlerësimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Por për të dhënë një vendim final mbi këtë kërkesë duhet që Gjykata Kushtetuese të ketë paktën 6 anëtarë. Aktualisht ky institucion ka vetëm katër anëtarë dhe është në pritje të zgjidhjes së të paktën tre anëtarëve të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë