Futboll

Dita e fundit e merkatos/ FIFA zhbllokon Luftëtarin, Kukësi blen në Zvicër

Klubet shqiptare duhet të dorëzojnë sot në zyrtar e FSHF-së listën e lojtarëve të rinj që duan të federojnë për pjesën e dytë të kampionatit. Është dita e fundit e merkatos dhe priten të konkretizohen disa lëvizje interesante.

FIFA ka zhbllokuar merkaton e Luftëtarit, pasi klubi gjirokastrit ka arritur një marrëveshje me brazilianin Marko Aurelio për shlyerjen e borxhit. Ishte pikërisht ky borxh që pak kohë më parë solli bllokimin e merkatos për Luftëtarin për sesionin e dimrit nga ana e FIFA-s, që gjithashtu bllokoi edhe Flamurtarin për tre sesione, pasi borxhet e vlonjatëve janë më të mëdha. Një lajm i mirë për gjirokastritet, por për ta është shumë e vështirë të kompletojnë grupin ditën e fundit të merkatos. Disa nga lojtarët që e kishin kaluar provën gjatë kësaj periudhe janë larguar tashmë dhe janë sistemuar në skuadra të tjera, kështu që ka pak gjasa që organika që ka në dispozicion trajneri Çoçlli të ndryshojë.

Nga ndeshja mes Tiranës dhe Luftëtarit, 5-1. Gazeta Si, 31 janar 2020

Një afrim të rëndësishëm pritet të bëjë Kukësi, që do të përforcojë sulmin me një lojtar që do të vijë nga Zvicra, por detajet mbeten për t’u mësuar në vazhdim. Këtë dimër Kukësi ka qenë pak aktiv në merkato, sepse për hir të së vërtetës ka një grup të kompletuar dhe lëvizja e vetme që drejtuesit kanë menduar të bëjnë është të gjejnë një zëvendësues për Vasil Shkurtajn, sepse kosovari Mirlind Daku është larguar. Dhe ky zëvendësues duket se është gjetur në Zvicër dhe bëhet fjalë për një lojtar 17-vjeçar nga Republika Demokratike e Kongos.

Tirana po këmbëngul për të marrë Bruno Ditën nga Skënderbeu, por presidenti i korçarëve, Ardjan Takaj, ka kushtet e veta, kuptohet financiare. Skënderbeu, sipas pohimeve të Takajt, pritet të shesë Dejvi Bregun në shkurt dhe i duhet të gjejë një zëvendësues, aq më tepër që numrin e sulmuesve aktualisht e ka të limituar. Shkodrani Pusi ka ditë që stërvitet me korçarët, por deri tani nuk ka pasur asgjë zyrtare. Ditët e fundit kanë qenë aktivë Bylisi dhe Vllaznia, duke afruar disa lojtarë të huaj. Shkodranët kanë rikthyer sulmuesin brazilian Zhunior, i aktivizuar me Vllazninë sezonin e shkuar në Kategorinë e Parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë