Politike

Rama takon Yuri Kim, SHBA: Mbështetje për reformën në drejtësi

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me ambasadoren e re të SHBA-ve. Në këtë takim mirëseardhjeve, kryeministri thekson se në fokusin e bisedimeve ka qenë prioritetet kryesore e dy vendeve aleate. Me anë të fotove që publikon, Rama i ka dhuruar librin me piktura ambasadores së re, si dhe i ka treguar ambientet e zyrës së tij apo dhe të kryeministrisë. Takimi erdhi përpara mbledhjes së qeverisë, ku vetë kryeministri bëri të ditur vendimin e qeverisë për grupimin e cilësuar si anti KÇK.

Kryeministri Edi Rama duke i dhuruar librin e tij të pikturave ambasadores Yuri Kim

“Takimi i mirëseardhjes së ambasadores amerikane Yuri Kim me fokus në prioritetet e përbashkëta si dy vende aleate. Koinçidencë e bukur mbledhja e mëpastajme e qeverisë, ku kaluam paketën AntiKÇK dhe Ligjin Special për masat pasurore ndaj krimit të organizuar”, shkruan Rama në Twitter.

Për këtë takim edhe ambasada amerikane shprehet se me kryeministrin Edi Rama u fol për bashkëpunimin në disa fusha të ndryshme, duke shtuar se SHBA-ja është në krah të Shqipërisë.

“Në vizitën e sotme prezantuese me Kryeministrin Rama, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim pati mundësinë të përvijojë prioritetet e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri: të ndihmojë Shqipërinë për tu bërë një aleate më e aftë në NATO dhe një bastion më i fortë sigurie; mbështetje për zhvillimin demokratik dhe sigurimin e zbatimit të duhur të reformave në drejtësi; dhe rritjen e mundësive të biznesit për shqiptarët dhe amerikanët. Ajo falënderoi Kryeministrin për përpjekjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë në çuarjen përpara të prioriteteve tona të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

https://www.facebook.com/usembassytirana/photos/a.446371155837/10157032208260838/?type=3&theater

Një ditë më parë ambasadorja Kim organizoi një pritje të veçantë për udhëheqësit politik shqiptarë, ministrat dhe deputetët. Ambasadorja në fjalën e saj shpalli tre prioritet kryesore.

Prioriteti i parë, sipas Kim, është që të ndihmojë Shqipërinë të bëhet aleate më e aftë e NATO-s dhe një bastion më i fortë sigurie. “Së dyti, ne do të vazhdojmë të mbështesim fort zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Forcimi i institucioneve dhe praktikave demokratike do të forcojë kandidaturën e Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Ne duam ta shohim Shqipërinë të luajë një rol më të fortë në familjen evropiane të demokracive. Së treti, duam të rrisim mundësitë e biznesit si për kompanitë amerikane ashtu edhe ato shqiptare. Ka shumë potenciale të pashfrytëzuara në Shqipëri, për prodhuar, konsumuar dhe për të qenë novatorë. Ndonëse këto përparësi mund të duken të përmbajtura, ato janë të lidhura pashmangshmërisht”, tha ambasadorja gjatë fjalës së saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë