Të hënën do të mblidhet seanca e Parlamentit jashtë radhe, pasi Tiranën e viziton presidenti i Parlamentit Evropian, Davide Sassioli, i cili pritet të mbajë një fjalim para deputetëve. Por në rendin e ditës të kësaj seance janë edhe tre interpelanca urgjente për ministrat Sandër Lleshaj, Etilda Gjonaj dhe Blendi Klosi të thirrur nga deputetët e opozitës.
Interpelanca e parë, ajo me Ministrin e Brendshëm është thirrur nga deputeti Artur Roshi, i cili kërkon të dijë në lidhje me procedurat që u ndoqën për ekstradimin e shtetasit turk Harun Çelik, i njohur si gylenist dhe i marrë nga forcat e policisë turke.
“Cila është procedura ligjore që ndiqet për deportimin e shtetasve të huaj? Cila ka qenë procedura e deportimit të mësuesit, shtetasit turk Harun Çelik? A ka pasur raste të tjera deportimi të shtetasve të huaj, të cilat nuk janë bërë publike? A mendoni se mënyra e sjelljes ndaj sigurisë së shtetasve të huaj ndikon në sigurinë e bizneseve dhe investimeve të tyre në vendin tonë, pa ndaluar në kombësitë e tyre?”, janë disa nga pyetjet që deputeti i drejton ministrit Lleshaj.

Gjithashtu deputeti kërkon të dijë edhe në lidhje me zbatimin e vendimeve të gjykatave për kthime në punë apo dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe masat për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Deportimi i Çelik shkaktoi debate të forta në lidhje me rrugën ligjore që u ndoq nga qeveria shqiptare dhe marrja e tij nga trupat speciale të shërbimit sekret turk.
Interpelanca e dytë ka të bëjë me kërkesën e shtatë deputetëve të opozitës me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila lidhet me dhënien e shpjegimeve për nxjerrjen nga qelia e burgut të Peqinit të Dritan Dajtit dhe dërgimit të tij në Tiranë për mjekim. Gjithashtu deputetët duan të informohen edhe për shkarkimet që ministrja Gjonaj ndërmori ndaj drejtorit të burgut të Peqinit, si dhe ndaj drejtorit të Policisë së Burgjeve, Bardhyl Kaçori. Deputetët e opozitës i cilësojnë këto vendime dhe masat penalizuese të ministres si antiligjore.

Klosi thirret për pyjet
Shtatë deputetë të tjerë të opozitës kanë thirrur në një interpelancë urgjente edhe Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi sa u përket masave për mbrojtjen e pyjeve.
“Kërkojmë shpjegim lidhur me dëmtimet serioze të sipërfaqeve të mëdha pyjore e halore në rrethin e Korçës, Kolonjës, Pukës, Mirditës, Peshkopisë nga “procesionarja”, shkatërruesja e pamëshirshme, e cila ka tharë me mijëra pisha e rrezikon me mijëra të tjera. Për rrjedhojë kjo gjendje ka dëmtuar ekosistemin pyjor, mjedisin e turizmin në këto zona”, thuhet në kërkesën e shtatë deputetëve të opozitës, Ligoraq Karamelo, Vasil Sterjovski, Kujtim Gjuzi, Majlinda Halili, Nikolin Staka, Ediola Braha dhe Zef Shtjefni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje