Politike

Balla: S'ka marrëveshje me PD për zgjedhje të parakohshme

Partia Socialiste rrëzon kushtin e Partisë Demokratike për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. Qëndrimi zyrtar i mazhorancës erdhi nëpërmjet kryetarit të grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili reagoi ndaj deklaratës së dhënë nga kryedemokrati Lulzim Basha në një intervistë televizive.

“Lulzim Basha paska “konfirmuar” marrëveshje për zgjedhje të parakohshme! Mbase kjo i vlen si një fantazi e re për të mbajtur ca muaj të tjerë me oksigjen simotrën dhe sivëllezërit e aleancës jashtëparlamentare dhe e mirëkuptojmë. Por zgjedhjet e parakohshme nuk janë temë e dialogut me atë aleancë, domethënë as me Lulzim Bashën”, deklaron Balla.

Numri dy i PS-së në një postim të gjatë në Facebook ka bërë të qartë gjithashtu edhe pse këtij reagimi nuk i dha përgjigje Rama, por ai vetë, duke  e lidhur këtë edhe me angazhimet ndërkombëtare që kryeministri po kryen këtë kohë.

“Sqaroj se e dhashë unë këtë përgjigje, sepse Kryetari Rama është plotësisht i angazhuar me Rindërtimin dhe angazhimet e tjera të mëdha si Kryeministër dhe si Kryetar i OSBE gjatë vitit 2020. Prandaj as nuk merret asnjë minutë dhe as nuk mund të prononcohet për çështjet që lidhen me bashkëpunimet apo ndërveprimet partiake. Kjo vlen për këtë herë dhe për të gjitha herët kur partia do të reagojë politikisht ndaj PD-së ose Lulzim Bashës lidhur me Reformën Zgjedhore, ndërkohë ecuria e dialogut me përfaqësuesit e PD i është besuar unanimisht përfaqësuesit tonë Damian Gjiknuri”, thekson Balla.

Kërkesa e opozitës për zgjedhjet e parakohshme, socialistët duket se e shohin edhe si një bllokim për realizimin e reformës zgjedhore, duke shtuar se kjo mund të sjellë edhe reagimin e opozitës parlamentare. “Idetë jashtë kësaj kornize kryetari i PD mund t’i diskutojë dhe konfirmojë jashtë Parlamentit me aleancën e tij, por jo me Partinë Socialiste. Ndërkohë i kujtojmë Lulzim Bashës se Kodi Zgjedhor miratohet me 84 vota që Partia Socialiste nuk i ka! Prandaj ai bën mirë të mos i fyejë e ofendojë deputetët që janë në Kuvend me firmën e tij dhe të paraardhësit të Monika Kryemadhit. Sepse jo për gjë, po nesër do të duhet edhe vota e tyre për të mbështetur dhe konfirmuar rezultatet e dialogut që po zhvillojmë dhe Lulzim Basha bën mirë të mos i provokojë në dëm të reformës!”, theksoi Balla.

Opozita prej kohësh ka deklaruar se me miratimin e reformës zgjedhore vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Një gjë e tillë u përsërit edhe nga kryedemokrati Lulzim Basha gjatë intervistës të dhënë  për ABC NEWS. “Ne i qëndrojmë propozimit tonë për një qeveri tranzitore, jo vetëm për të kaluar këtë krizë. Është një qëndrim që ne nuk tërhiqemi. Është i shkruar në dokumentin që u paraqit të hënën. 100 ditë para zgjedhjeve vendi të ketë një qeveri tranzitore”, thotë Basha. Lidershipi i PD-së gjithashtu ka “kërcënuar” mazhorancën se në rast nuk realizohen kushtet e tyre, miratimi i Kodit të ri brenda 15 marsit dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, atëherë do të rinisin protestat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë