Futboll

Guardiola e di mirë: Po nuk fitova Championsin, do të jem i dështuar

Pep Guardiola, trajneri i kampionëve të Anglisë, e di mirë se nuk duhet të gabojë në Champions, sepse për titullin nuk ka më shanse, pas shkëputjes së Liverpulit 19 pikë përpara. Nëse Mançester Siti nuk arrin të fitojë kupën me veshë të mëdhenj, gjithçka që trajneri spanjoll ka bërë vitet e fundit do të harrohet dhe do të konsiderohet dështim. Guardiola e ka të qartë situatën dhe ka nisur të bëjë bilancin.

Mançester Siti ka dalë në finale të “Carabao Cup” ndaj Aston Vilës, ku shanset për fitore e i ka të mëdha, por ky kompeticion nuk ka shumë rëndësi. Në fazën e 1/8-ve të Championsit anglezët do të ndeshen me Real Madridin dhe Guardiola i druhet një eliminimi të mundshëm, që për të do të thotë dështim. E ka pohuar vetë spanjolli, pasi ai e di mirë që dy titujt në Premier League do të kalojnë në plan të dytë. Në tre edicionet e fundit të Championsit, “qytetetarët” nuk kanë shkuar as deri në gjysmëfinale, duke u eliminuar në fazën e 1/8-ve nga Monako, Liverpuli dhe Totenhemi.

Guardiola dhe Mourinjo përplasen sot në Londër. Gazeta Si, 2 shkurt 2020

Guardiola e ka fituar Championsin në sezonin 2010-11, kur drejtonte Barcelonën, ndërsa në krye të Bajern Mynihut trajneri katalanas nuk ka mundur të fitojë në arenën ndërkombëtare, ndaj dhe aventura e tij në Gjermani ka qenë zhgënjyese, pavarësisht tre titujve radhazi në Bundesligë. “Nuk do të gjykohemi nga mënyra e lojës, por në bazë të trofeve të fituar. Viti i shkuar ishte i jashtëzakonshëm për ne, por njerëzit thonë se nuk kam fituar Championsin. Nëse nuk e fitojmë edhe këtë sezon, do të thonë se kam dështuar. Të shohim në fund të sezonit”, – ka thënë Guardiola.

Mançester Siti kthehet për herë të parë në “Tottenham Hotspur Stadium”, pas çerekfinales së Championsit të vjetshëm. “Pashë ndeshjen Southempton-Totenhem, ku ekipi mik pësoi gol në minutën e fundit, por ishte një skuadër e gjallë. Do të jetë një sfidë interesante”, – ka shtuar Guardiola, që sot përballem me Mourinjon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë